E bleu vazon për 35 dollarë, tash pritet ta shesë për gjysmë milioni

61

Një vazo e vogël me lule e blerë në Connecticut për vetëm 35 dollarë është identifikuar si një artefakt antik kinez jashtëzakonisht i rrallë i shekullit XV. Vazoja e cila përmban motive me zambak dhe shegë u porosit fillimisht nga gjykata perandorake e Kinës gjatë dinastisë Ming. Tash pritet të shitet deri në 500.000 dollarë, sipas shtëpisë së ankandit Sotheby’s në New-York, ku do të zhvillohet ankandi muajin tjetër, njofton CNN.

Kompania Sotheby’s nuk zbuloi identitetin e pronarit, por tha se ai e ka blerë për 35 dollarë. Objekti i rrallë e ka origjinën nga Perandori Yongle, i cili drejtoi vendin nga viti 1403 deri më 1424, një periudhë e njohur për teknikat e famshme të porcelanit. Vetëm gjashtë artefakte të tjera të ngjashme dihet se kanë mbijetuar nga ajo periudhë, sipas Sotheby’s. Ato janë vendosur në institucione si Muzeu i Pallatit Kombëtar në Taipei, si dhe Muzeu Britanik dhe Muzeu Victoria & Albert në Londër.