Referendumi në Maqedoni është një nga ato sjellje europiane, të cilën shqiptarët duhet ta kuptojnë më tepër si proces se sa si teknikalitet zgjedhor. Është kjo faza kur pesha specifike e faktorit shqiptar nuk matet më me matematikën e thjeshtë elektorale të partive politike, por me vendosmërinë e një populli i cili përgjegjësinë e vet në momente vendimtare nuk e bazon mbi kontekste të ngushta partiake, por shkon përtej kësaj, duke nxjerrë si të domosdoshme të ardhmen e përbashkët që është më sublime se çfarëdo lloj triumfi partiak
Nga Emin AZEMI
Ethet parareferendumiane në Maqedoni, kanë burime të ndryshme kurimi. Një virus rus që po shëtit nëpër Shkup dhe në qytete tjera, po mundohet të motivojë lëngatën antieuropiane, duke nxitur defetizëm te një pjesë e qytetarëve.
Epilogu i referendumit në Maqedoni ka edhe rëndësi gjeopolitike. Topografët e sprovuar po mundohen t’i mbështjellin gërshërët e tyre me harta të vjetra e të reja. Implikimet e jashtme historike po përkthehen si “interesime normale” për pjesët e ngelura të popujve në këtë shtet të kontestuar nga jashtë e të keqkuptuar nga brenda. Por, një është e sigurt: tërësia e këtij shteti, më tepër se kujtdo tjetër, iu konvenon shqiptarëve. Ky do të duhej të jetë edhe motivi kapital për të dalë në refendum dhe për t’i dhënë përgjigje pozitive anëtarësimit në NATO dhe BE. Marrëveshja me Greqinë është kushti, por edhe pa këtë kusht e ardhmja jonë është e varur nga integrimet euro-atlantike.
Gabimisht po interpretohet në qarqe të ndryshme se referendumi favorizon vetëm njërën palë, gjegjësisht palën maqedonase. Por, do të ishte iluzore që të presim mbylljen e të gjitha çështjeve të hapura me këtë referendum. Vetëm një çështje mund të ngelë e hapur, nëse shqiptarët e bojktojnë referndumin dhe ajo lidhet kryekëput me kontekstin gjeopolitik. Mund të tingëllojë disi naive se shqiptarët edhe kësaj radhe po e shpëtojnë Maqedoninë nga kaosi dhe shpërbërja, por shumë argumente janë në favor të tezës se një prej shtyllave kryesore qe mbajnë në këmbë këtë shtet janë pikërisht shqiptarët.
Referendumi ka hapur shumë orekse antieuropiane dhe këtu shihet oaza e fundit në Ballkanin Prendimor ku mund të sprovohen ambicjet e reja dhe të vjetra për të rikthyer shanset e humbura të ndikimit dhe implikimit rus. Mund të duken margjinale qelulat e tanishme të këtij implikimi, por ato ka rrezik të zmadhohen nëse vetëdija europiane e qyetarëve relativizohet nga thirrjet për mosdalje në referendum.
Shqiptarët nuk po e shpëtojnë Maqedoninë, por po e shpëtojnë vetveten nga një krijesë që fare lehtë mund të jetë pre e këtyre implikimeve. Dimensioni gjeopolitik i referendumit prek interest shqiptare në Ballkan, sidomos tani kur në Beograd e Prishtinë flitet hapur për ripërkufizim të hartave shtetërore e etnike në mes të Kosovës e Serbisë. Vetëdija politike e shqiptarëve të Maqedonisë duhet të jetë disa nivele mbi intrigat e provokatorëve të ndryshëm që po bëhen kinse po punojnë për interesat e shqiptarëve. Në fakt, mbrojtës më të denjë të interesave të shqiptarëve, janë vetë shqiptarët dhe aletatët e tyre strategjik SHBA-të, kurse sjellja brenda normave europiane është përgjigja më e mirë ndaj atyre që duan një rifragmentim të qenies shqiptare në rajon.
Referendumi në Maqedoni është një nga ato sjellje europiane, të cilën shqiptarët duhet ta kuptojnë më tepër si proces se sa si teknikalitet zgjedhor. Është kjo faza kur pesha specifike e faktorit shqiptar nuk matet më me matematikën e thjeshtë elektorale të partive politike, por me vendosmërinë e një populli i cili përgjegjësinë e vet në momente vendimtare nuk e bazon mbi kontekste të ngushta partiake, por shkon përtej kësaj, duke nxjerrë si të domosdoshme të ardhmen e përbashkët që është më sublime se çfarëdo lloj triumfi partiak. (koha.mk)