Të gjithë automobilat e rinj që do të lansohen nga Volvo nga viti 2019 e më pas do të jenë pjesërisht ose tërësisht të fuqizuar nga bateritë. Kompania e njohur po e quan këtë “fund historik” të të gjitha modeleve që përdorin karburante me djegie. Gjatë viteve 2019 deri më 2021, kompania planifikon të prezantojë pesë modele 100 për qind elektrike, dhe pjesa tjetër e modeleve do të jenë modele hibride, shkruan sot “Koha Ditore”. Kjo është kompania e parë e njohur në botë që bën një lëvizje radikale në aspektin e automobilave elektrikë. “Ky paralajmërim shënon fundin e automobilave që përdorin si fuqi vetëm motorët me djegie”, ka thënë Hakan Samuelsson, CEO i Volvos në një njoftim. Ai ka deklaruar se kompania e tij me këtë vendim ka reaguar ndaj klientëve që kanë kërkuar automobila elektrikë. Sipas tij, kjo lëvizje po ashtu do të ndihmojë kompaninë suedeze që të arrijë caqet e caktuara ligjore në Evropë për automobilat e rinj të shitur që nga viti 2020 sa i përket emetimit të karbonit.