Mançester Junajtid ka marrë dritën jeshile nga FIFA për të transferuar Duglas Kostën nga Juventusi. Sulmuesi brazilian, i cili është pronë e klubit italian dhe këtë sezon luajti edhe dy ndeshje në Serinë A me “Zonjën”, aktualisht është i huazuar te Bajerni, i cili nuk duket i interesuar për ta mbajtur 30-vjeçarin ende.
Futbollistëve nuk u lejohet normalisht që të aktivizohen për tri klube të ndryshme gjatë një sezoni, por “Gazzetta dello Sport” raporton se FIFA do t’i lejojë yjet të veshin tri fanella në një sezon në rrethanat e jashtëzakonshme të pandemisë.
Bavarezët do të ishin OK që Juve ta thërriste sulmuesin që nuk u grumbullua as në stol nga trajneri Flik në fitoren 2-1 ndaj Fraiburgut të dielën. Junajtid dhe Uolvesi janë dy klubet e Premier Ligës që interesohen për Kostën, por një pengesë është rroga e tij, sepse fiton më shumë se 100 mijë sterlina në javë.