Qendërmbrojtësi Giorgio Chiellini nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli aktiv në fund të këtij edicioni, por e ardhmja e tij nuk është e sigurt te skuadra e Juventusit. Kështu, ka thënë agjenti i futbollistit të mërkurën për mediumet italiane.
Chiellini ka kontratë me Juventusin deri në qershor por drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” ende nuk kanë dhënë asnjë sinjal se janë të gatshëm ta mbajnë në ekip 36-vjeçarin.
Agjenti Davide Lippi ka thënë se klienti i tij ende nuk ka marrë asnjë ofertë nga Juventusi për rinovimin e kontratës që i skadon pas tre muajve.
“Chiellini nuk ka një datë të saktë për tërheqjen e tij nga futbolli aktiv. Kështu që, ai do të vazhdoj të luajë. Megjithatë, ne jemi në pritje të një oferte nga Juventusi për rinovimin e kontratës”, është shprehur Lippi.
Chiellini këtë edicion ka pasur telashe me lëndimet dhe për Juventusin ka regjistruar vetëm 16 ndeshje në të gjitha garat. Ai është pjesë e Juventusit prej vitit 2005 dhe me këtë ekip ka fituar nëntë tituj kampioni të Italisë.