Futbollisti i talentuar i kombëtares U-21 të Shqipërisë, Jasir Asani, nuk do të jetë më pjesë klubit kampion të Maqedonisë, Vardari. Ai ka prishur kontratën që e lidhte me maqedonasit dhe tashmë është një lojtar i lirë. E ardhmja e tij ka disa pista dhe gjatë janarit do të marrë një drejtim konkret. Një mundësi është Partizani në Shqipëri, teksa të kuqtë edhe gjatë verës shfaqën interesimin e tyre për lojtarin sulmues të krahut të djathtë. Një tjetër pistë është Shkëndija e Tetovës, e cila mund ta afronte Asanin jo vetëm për të përforcuar ekipin, por edhe si shenjë hakmarrjeje për largimin e Besir Demirit drejt Vardarit gjatë këtyre ditëve. Megjithatë ky transferim është disi i vështirë për shkak të marrëdhënies së acaruar të futbollistit me tifo-grupin “Ballistët”. Ndërkohë menaxheri i tij për momentin ka pasur kontakte vetëm me klubin rus, Amkar Perm.