Dzeko negocion prishjen e kontratës me Romën

13

Edin Dzeko nuk bën më pjesë në planet e Romës për sezonin e ardhshëm dhe për më tepër, duke qenë se boshnjaku ka 35 vite mbi supe, asnjë klub nuk është i gatshëm të paguajë për të blerë kartonin e tij.

Pikërisht për këtë arsye drejtuesit e klubit verdhekuq kanë nisur negociatat me futbollistin për prishjen e parakohshme të kontratës që përfundon në verën e 2022-shit dhe prej të cilës Dzekoi përfiton një pagë prej 7.5 milionë eurosh në sezon.

Qëllimi i Romës është që t’i japë një bonus jo më shumë se dy milionë euro dhe ta lërë të lirë në fund të sezonit, sulmuesin boshnjak që në 6 vite me fanellën verdhekuqe numëron 253 ndeshje dhe 117 gola.

Nga ana tjetër ky opsion i pëlqen edhe vetë Dzekos, pasi mund të nënshkruar si futbollist i lirë në një tjetër klub, me Interin e Juventusin që janë gati t’i ofrojnë një kontratë për sezonin e ardhshëm.

Sulmuesi boshnjak u kërkua nga dy gjigantët e kampionatit italian edhe verën e kaluar, por pretendimet e Romës për të arkëtuar 10 milionë euro nga kartoni i tij bënë që si Interi, ashtu edhe Juventusi të tërhiqeshin.