Të dy bashkë kanë realizuar 23 gola dhe 7 asistime, rreth 2/3 e golave dhe asistimeve të Interit. Skuadra e Luçiano Spaletit është gjithnjë dhe më e bashkuar dhe ata që përfitojnë më shumë nga kjo janë lojtarë, si Perishiç dhe Ikardi, kurrë kaq të frymëzuar si në këto 15 javë të para të kampionatit. Paraqitje që bëjnë të lumtur trajnerin toskan, i cili ka këmbëngulur duke i shpjeguar atyre se lëvizjet në favor të ekipit nuk janë një kohë e humbur:
“Shokët e ekipit do t’ju kthejnë mbrapsht çdo centimetër”, i ka thënë trajneri toskan argjentinasit dhe kroatit dhe argjentinasit, të cilët ishin kursyer shpesh në të kaluarën. Perishiç dhe Ikardi janë dy lojtarë të ndryshëm, të rritur si në aspektin individual, ashtu edhe në lidhje me skuadrën.
Në krahasim me disa muaj më parë, argjentinasi mbulon një zonë më të madhe të fushës, luan në mbështetje të skuadrës, por duke qenë i pranishëm në zonën e rreptësisë. Kroati, nga ana tjetër, bën rikuperime prej gjashtëdhjetë metrash, nga njëra anë e fushës tek tjetra, shpesh edhe në zona që nuk duhet t’i mbulojë ai.
Ikardi dhe Perishiç janë investime që bëjnë të lumtur tifozët dhe drejtuesit. Ish-lojtarët e Volfsburg dhe Sampdoria i kanë kushtuar Interit 33 milionë euro (18 kroati dhe 15 argjentinasi), por sot vlejnë 160 milionë euro, por çmimi i tyre do të rritet, duke parë se në kontratën e Ikardit do të përfshihet një klauzolë prej 110 milionë eurosh. Me pak fjalë, Maurito dhe Ivan janë ari i Interit, askush nuk ka bërë më mirë se ata në Itali, ndërsa në Evropë, vetëm Nejmar dhe Kavani kanë ditur të bëjnë më mirë. Po, por me çfarë kostoje.