Omer XHAFERI
Shkup, 30 nëntor – Të gjithë qytetarët e Maqedonisë, të cilët dyshojnë se kanë qenë pjesë e përgjimeve të jashtëligjshme, të cilët vitin e kaluar opozita maqedonase i publikoi, mund të drejtohen te Prokuroria Speciale Publike, për t’u njoftuar sa vallë numri i tyre i telefonit ka qenë apo jo në listën e kontakteve që pa urdhra gjyqësor janë përgjuar. Një lajm të tillë për gazetën KOHA, e ka konfirmuar zëdhënësja e PSP, Lençe Ristovska, e cila potencoi se nuk ekziston ndonjë procedurë e posaçme që qytetarët duhet ta respektojnë, për t’u njoftuar se a kanë qenë apo jo pjesë e përgjimeve të jashtëligjshme. Sipas prokurores speciale, Ristovska, qytetarët e interesuar, kërkesën për këtë qëllim mund ta bëjnë përmes adresës elektronikë të prokurorisë apo përmes postës në adresë të zyrës ku funksionon ky institucion.
”Kuptohet se të gjithë të qytetarët mund të kërkojnë te ne një informacion të tillë, në ndërkohë vijon përpunimi i të dhënave dhe për shkak se numri i tyre është tejet i madh, ne ende nuk kemi përpiluar ndonjë listë. Por, sidoqoftë ne i kemi emrat dhe mbiemrat e shfrytëzuesve të numrave telefonik që në mënyrë të jashtëligjshme janë ndjekur. Deri më sot tek ne janë paraqitur disa persona për të konstatuar se vallë a janë ndjekur komunikimet e tyre, ndërsa përgjigjet do t’i marrin në fund të hetimeve, për arsye se jemi në pritje të pranimit të të dhënave shtesë lidhur me këtë rast”, tha prokurorja speciale Ristovska. Pas publikimit të hetimeve për rastin “Target” në këtë prokurori janë dorëzuar tetë kërkesa për të kontrolluar se a janë përgjuar numrat e tyre të telefonave pa vendime gjyqësore, që në këtë rast kanë qenë gjithsej 15 kontakte. Në kuadër të këtyre kërkesave që së fundmi janë parashtruar deri te PSP-ja, dominojnë gazetarët, më pas afaristët, në ndërkohë një ish punonjës i Ministrisë për Punë të Jashtme, ka qenë i interesuar të dijë se a janë përgjuar numrat e tij telefonik pa urdhëresa gjyqësore, respektivisht pjesa dërmuese e të interesuarve të dijë se sa numra të tyre janë përcjellë. Prokuroria, e udhëhequr nga Katica Janeva, në një prononcim për mediat e huaja ka thënë se në kuadër të hetimeve për rastin “Target” është zbuluar se në mënyrë të jashtëligjshme janë përjcellë komunikimet e pesë politikanëve, dy profesorëve universitar, një biznesmeni dhe gjashtë gazetarëve. Në mesin e këtyre personave gjendet edhe themeluesi i gazetës javore “Fokus”, tash i ndjeri Nikolla Mlladenov, i cili sipas të dhënave të PSP, është ndjekur 1163 ditë, gjegjësisht mbi 600 regjistra të telefonave që i ka bërë janë regjistruar si të jashtëligjshme. Megjithatë nga PSP, nuk zbulojnë se a është përgjuar Mlladenovi edhe gjatë kohës kur ndodhi aksidenti tragjik në vitin 2012. Në listën më të re të “viktimave” në rastin “Target” gjendet edhe Ermirat Mehmeti, Stojançe Angellov, Andrej Zhernovski, Igor Ivanovski dhe Sofija Kunovska. Përderisa në mesin e profesorëve deri më sot bëhet e ditur se janë përgjuar Lubomir Fërçkovski, Gjuner Ismail dhe pronari i TV “Kanal 5”, Emil Stojmenov. Nga ana tjetër, listën e gazetarëve e përbëjnë Aleksandar Çomovski, Katerina Bllazhevska, Vasko Eftov dhe Dragan Pavlloviq Llatas. Hetimet e prokurorisë speciale lidhur me këtë rast vazhdojnë ende, ndërkaq shumica e të dhënave për atë se kush është përgjuar gjendet në hard diskun me informacioni të cilën javë më parë PSP e mori nga DSK-ja. Pavarësisht reagimeve të shumta të opinionit për rastin “Target”, deri më sot në PSP nuk është drejtuar asnjë anëtar nga esnafi i avokatëve, për të marrë informacione se vallë DSK-ja e ka ndjekur në mënyrë jo ligjore apo jo. Ndryshe, ditë më parë filloi procesi i parë gjyqësor të cilën PSP e ka iniciuar, i cili si të dyshuar kryesor për shkatërrimin e dokumentacionit për sistemit e përcjelljes së komunikacioneve e cilëson ish shefin e Drejtorisë së Pestë, Goran Grujoski dhe gjashtë nëpunës tjerë të DSK-së.