Një pjesë e analistëve ekonomik nuk presin që një masë e tillë dukshëm të ndikojë në zvogëlimin e ekonomisë informale në shtet, ndërsa të tjerë kërkojnë edukimin e vazhdueshëm të qytetarëve për të kërkuar llogaritë fiskale. FMN ndërkohë llogarit se shteti nuk mund të marrë 15 deri 25 për qind të të ardhurave nga Tatimi i Vlerës së Shtuar
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 3 gusht – Masa e fundit qeveritare “TVSH-ja ime” që hyri në fuqi prej 1 korrikut të këtij viti, ka për qëllim ndër të tjerash edhe uljen e ekonomisë informale ku qytetarët – në terren do të jenë edhe inspektorë dhe do të paraqesin ato biznese që nuk lëshojnë llogari fiskale. Vlerësohet se nga një masë e tillë do të fitojë edhe shteti edhe qytetarët, ndërsa më së shumti do të humbin obliguesit tatimor që nuk janë të regjistruar apo që i ikin TVSH-së dhe të gjithë obliguesit tatimor që nuk lëshojnë llogari fiskale, shkruan gazeta KOHA.
Një nga qëllimet kryesore është të motivohen qytetarët të blejnë vetëm në ato dyqane që lëshojnë llogari fiskale, duke ndihmuar kështu uljen e ekonomisë së zezë. Ky problem kohë më parë u aktualizua edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar që vlerëson se shteti akoma nuk mund të paguajë midis 15 dhe 25 për qind të të ardhurave nga Tatimi i Vlerës së Shtuar, për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme të autoriteteve tatimore që akoma vështirë e kontrollojnë mos lëshimin e llogarive fiskale. Bile, sipas kryeministrit Zoran Zaev, kjo përqindje është edhe më e lartë se 25 për qind.
“Kjo përqindje nuk është 15 deri 25 për qind, por është 30 për qind, ndoshta edhe më tepër që krijon dy lloj problemesh. Në çdo një miliardë euro që në vit grumbullohet nga TVSH, 30 për qind janë 300 milionë euro humbje për shtetin, ndërsa humbjet janë edhe më të mëdha për shkak se ata që nuk paguajnë TVSH, krijojnë konkurrencë jolojale dhe i dëmtojnë ato që paguajnë tatime në mënyrë të ndershme”, thotë kryeministri Zaev.
MBI 1 MILIONË LLOGARI TË SKANUARA
Vlerësohet se me uljen e evazionit fiskal që paraqet mospagimin e detyrimeve tatimore që rrjedhin nga ligji, më shumë të holla do të mbeten tek qytetarët.
Nga Drejtoria për të Ardhura Publike thonë se vetëm në muajin e parë të realizimit të projektit, mund të vërehen të arriturat e para ku mbi 135 mijë qytetarë kanë filluar të përdorin një aplikim të tillë ku janë skanuar mbi 1 milion llogari fiskale. Javën e kaluar, drejtoresha e DAP-it, Sonja Llukarevska deklaroi se që nga fillimi i projektit po shënohen rezultate të suksesshme, me pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në uljen e ekonomisë informale e që nuk lejojnë tu merret e drejta për kthimin e TVSH-së me moslëshimin e llogarive fiskale. “Numri i llogarive fiskale të skanuara deri më 24 korrik është 5.4 milionë , me qarkullim prej 2.7 miliardë denarë dhe TVSH prej 298.8 milionë denarë dhe kthim të TVSH-së për qytetarët prej 15 për qind në vlerë prej 44.827.089 denarë. Me fillimin e realizimit të këtij projekti po shënohet edhe ulje e llogarive të stornuara në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, që nënkupton se qytetarët i kërkojnë dhe i marrin llogaritë fiskale dhe nuk i lënë të njëjtat të keqpërdoren”, thekson Llukarevska.
Për rezultatet në rritje të kësaj mase flasin edhe të dhënat se deri më 30 korrik janë skanuar mbi shtatë milionë llogari fiskale, ndërsa qytetarët do të fitojnë mbi 930 mijë euro që paraqet një rritje të përditshme në raport me 6.5 milionë llogari të skanuara dhe 850 mijë euro që duhet tu kthehen qytetarëve vetëm në 28 ditët e parë të muajit korrik. Vlerësohet se në fund të çdo viti kalendarik, afër 50 milionë euro do të përfundojnë në xhepat e qytetarëve, ndërsa kjo masë do të nxisë uljen e ekonomisë së zezë dhe evazionin fiskal apo fshehjen e tatimeve.
TË ZVOGËLOHET TVSH E PRODUKTEVE PRIMARE
Megjithatë, një pjesë e analistëve ekonomik nuk presin që një masë e tillë dukshëm të ndikojë në zvogëlimin e ekonomisë informale në shtet. “Ulja e ekonomisë informale mund të arrihet vetëm me angazhimin e organeve kompetente siç janë inspeksionet e ndryshme, Drejtorisë së të Ardhurave Publike e kështu me radhë. Masa e kthimit të TVSH-së për qytetarët do të ndihmojë në këtë drejtim, por nuk do të ndikojë që dukshëm të ulet ekonomia informale”, thotë për KOHA, analisti ekonomik Goran Rafajllovski. Sipas tij, në këtë drejtim nevojiten edhe masa të tjera përfshi edhe edukimin e vazhdueshëm të qytetarëve se nevojitet që patjetër të kërkojnë llogari fiskale e që paraqet një proces që mund të zgjasë me vite.
Nga ana tjetër, profesori universitar Marjan Petreski thotë se, nëse kjo masë do të kthejë 50 milionë euro si të ardhura në buxhet, atëherë nuk ka pse të mos realizohet, megjithatë sipas tij, kompetentët nuk kanë ofruar një përllogaritje më të detajuar se sa një masë e tillë do të zvogëlojë ekonominë informale.
“Nuk mund të mohohet qëllimi fillestar i kësaj mase që synon uljen e ekonomisë së zezë, megjithatë Qeveria nuk ka ofruar një përllogaritje se cili është potenciali i saj në uljen e kësaj dukurie, ku për shembull – nëse luftohen 10 milionë euro të ekonomisë informale ndërsa harxhohen 50 milionë euro, atëherë kjo nënkupton se nuk është një masë e mirë”, konstaton Petreski.
Në ndërkohë, eksperti ekonomik Marjan Nikollov thotë se nëse Qeveria dëshiron të kthejë të hollat ndaj qytetarëve, atëherë thjesht nevojitet që të zvogëlojë TVSH-në për një pjesë të prodhimeve që janë pjesë e shportës kryesore konsumatore.
“Një masë e tillë ishte pjesë e fushatës parazgjedhore dhe tani duhet të realizohet. Megjithatë nëse dëshirohet t’u ndihmohet qytetarëve, atëherë nevojitet të ulet TVSH-ja nga 18 në 5 për qind së paku për ato produkte të konsumit që i harxhojnë pjesë më e madhe e popullatës me të ardhura më të ulëta”, thotë Nikollov.
EVAZIONI FISKAL NË BOTË
Evazioni fiskal ka një efekt shkatërrues ndaj politikës fiskale të Qeverisë duke i shkaktuar shtetit një humbje jo të vogël nga të ardhurat fiskale të tij. Në total, evazioni fiskal në nivel botëror kap një shifër midis 21000 dhe 32000 miliardë dollarë, e barabartë kjo me Prodhimin e Brendshëm Bruto të ShBA-ve, Japonisë dhe Gjermanisë të marra së bashku. Në Tajvan, çdo llogari fiskale shoqërohet me një numër që lejon të marrësh pjesë në një lotari që organizohet çdo dy muaj, ku mund të fitohen deri në 25.000 euro. Sa më shumë kuponë tatimorë të keni, aq më e lartë është mundësia për të fituar.
Në Angli, në letrat që dërgojnë inspektorët tatimorë lokalë, përdoret një gjuhë shumë agresive për vonesat e pagesave ndaj tatimeve arrihet, deri aty sa shkruhet “do vijmë do t’ju shqyejmë derën e do ju marrim edhe fëmijët nëse nuk paguani”.
Në Itali kontrollohen shpenzimet e secilit individ, duke kontrolluar edhe kartat e klientit të supermarketeve për të parë se sa janë të ardhurat dhe shpenzimet e secilit individ, ndërsa bëhen studime të ndryshme sektori. Po ashtu, stafi tatimor dhe personat përkatës që arrijnë të rikuperojnë evazionin fiskal, arrijnë të marrin deri në 50 për qind të shumës së rikuperuar nga evazioni si institucion.
Një pjesë e kësaj shume ndahet si bonuse për stafin. Në vendet nordike po stimulohet çdo ditë e më tepër paraja elektronike, ku kanë arritur deri aty sa të penalizojnë personat që paguajnë me para në dorë. Pagesat me karta krediti apo karta debiti japin mundësinë e regjistrimit të çdo pagese. Këto pagesa grumbullohen dhe shoqërohen me kodin fiskal të çdo klienti dhe shitësi pastaj përcillet çdo muaj te agjencitë kombëtare tatimore. (koha.mk)