Londër, 23 janar – Mediumet britanike sot njoftuan se koronavirusi me siguri ka arritur në Britani të Madhe, pasi dy shtetas kinezë janë hospitalizuar në Skoci me simptoma të ngjashme të gripit, transmeton gazeta KOHA.
Supozohet se udhëtarët kanë arritur nga qyteti kinez Vuhan, prej ku përhapet epidemia e virusit të ri nga i cili deri më tani e kanë humbur jetën 17 njerëz, ndërsa janë konfirmuar mbi 600 raste të të infektuarve.
Testet, të cilat u janë bërë në spital, deri më tani nuk e përjashtojnë koronavirusin, shkruan “Dejli mejl”, duke shtuar se pacientët janë në izolim në Spitalin universitar Mbretëresha Elizabeta në Glazgov.
“Dejli rekord” thekson se udhëtarët kinezë kanë arritur në Londër javën e kaluar para se të udhëtojnë për në Skoci.
Paraprakisht sot raste të personave të infektuar janë konfirmuar në Vietnam, Singapor dhe në Arabinë Saudite.(koha.mk)