Tetovë, 6 qershor – Nga ora 7.00 të premten e deri në orën 7.00 të mëngjesit të sotëm SPB Tetovë shënon 12 raste të mosrespektimit të masës së kufizimit të lëvizjes në rajonin më të gjerë të Tetovës. Të gjithë janë dërguar në Stacionin Policor ku kanë marrë kallëzime penale për vepër penale “mosrespektim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”.
“Nga 12 personat e hasur të cilët e kanë shkelur orën policore ka një person mbi 65 vjet dhe një minoren. Personat janë zbuluar në qytetin e Tetovës, si dhe në Jegunoc dhe Strimnicë”, informoi sot Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB Tetovë.
Vendime të reja për izolim nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor u janë përgatitur gjithsej 52 persona, derisa deklarata për vetizolim kanë nënshkruar gjithsej 44 persona. Për shkak të orës policore nuk janë kryer kontrolle te personat me vendime nga inspektorati dhe te ata në vetizolim. Në 24 orët e fundit për mosmbajtjen e maskave janë shqiptuar dy gjoba.
Qytetarët nga të gjitha komunat e Tetovës nga e premtja në orën 21.00 e deri të hënën në orën 5.00 duhet të qëndrojnë në shtëpitë e tyre në pajtim me masën për kufizim të lëvizjes në drejtim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.