Inspektori Qormemeti thotë se në krahasim me vitin 2018, kur ka patur pesë lëndime të rënda të punëtorëve, gjatë vitit 2019 ky numër është dyfishuar dhe ka patur dhjetë lëndime të rënda të punëtorëve, kurse lëndimet e lehta kanë qenë të shumta
Vjollca SADIKU
Dibër, 25 janar – Në sferën e sigurisë dhe shëndetit në punë në Dibër dhe Qendrë Zhupë, vërehet një rritje e mos respektimit të Ligjit. Gjatë vitit 2019, në dy komunat në fjalë është dyfishuar numri i të lënduarve gjatë procesit në punë. Edhe pse nga ana e inspektorit shtetëror për siguri dhe shëndet në punë janë ndërmarrë të gjithë aktivitetet preventive, tek punëdhënësit megjithatë ka patur mangësi në këtë drejtim. Gjatë vitit që kaloi janë regjistruar dhjetë lëndime të rënda.
Inspektori shëndetësor për siguri dhe shëndet në punë, Rexhep Qormemeti, thotë se gjatë 12 muajve të kaluara, në tërësi është zbatuar Ligji që ka të bëj me sigurinë dhe shëndetin në punë. Sipas tij, janë realizuar 154 kontrolle në Dibër dhe Qendër Zhupë, ndërsa janë kontrolluar kushtet e punës, janë bërë vlerësime të ndryshme për mbrojtjen e punëtorëve, është vlerësuar trajnimi i punëtorëve për ndihmë të parë, është përcaktuar niveli i sigurimit nga zjarri, por njëkohësisht janë ndërmarrë aktivitete për respektimin e Ligjit në lidhje me sëmundjet profesionale. Inspektori Qormemeti thotë se në krahasim me vitin 2018, kur ka patur pesë lëndime të rënda të punëtorëve, gjatë vitit 2019 ky numër është dyfishuar dhe ka patur dhjetë lëndime të rënda të punëtorëve, kurse lëndimet e lehta kanë qenë të shumta.
Ai shton se pas realizimit të kontrolleve janë shqiptuar 88 vendime për mangësitë që janë gjetur në mos respektimin e ligjit. Bëhet fjalë për vendimet me të cilat në afat prej 30 deri më 60 ditë, punëdhënësi duhet të tejkalojë mangësitë të cilët janë regjistruar në procesin e punës dhe në sferën të cilën e mbulon ky ligj. Në këtë drejtim janë regjistruar 397 mangësi, por në afatin e caktuar janë tejkaluar me sukses 328. “Kemi tentuar kur janë zbuluar anomalitë në procesin e punës, që së bashku me punëdhënësit të gjejmë mënyra për t’u mënjanuar dobësitë që kanë të bëjnë me mos respektimin e ligjit”, thotë për gazetën KOHA, Qormemeti. Qëndron fakti se, shprehet ai, në aspektin e preventivës kemi suksese meqë në të shumtën e rasteve – punëdhënësit në kohë marrin masa për të tejkaluar problemin. “Aty ku problemi nuk është tejkaluar, normalisht kemi ndërmarrë sanksione ligjore”, thotë inspektori Qormemeti.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar mbrojtjes të shëndetit dhe sigurisë të punëtorëve në ndërtimtari. Duke marrë parasysh se në qytet, viteve të fundit ka një rritje të ndërtimit të objekteve banesore, por edhe biznes-objekteve, Qormemeti thotë se në kontinuitet është ndjekur siguria e tyre. “Ka patur raste kur punëtorët kanë punuar pa mbrojtjen e nevojshme siç janë helmetat në kokë, ngritja e skeleve në mënyrë jo të sigurt, por edhe sigurimi i trotuareve në vendet ku ka patur ndërtime. Po ashtu vëmendje i është kushtuar edhe sëmundjeve profesionale. Në disa ndërmarrje ku ka paraqitje të sëmundjeve profesionale, janë ndërmarrë aktivitet dhe masat ligjore me qëllim që punëtorët në këtë sferë të kenë të drejtat e tyre. Po ashtu me sukses janë tejkaluar problemet me shenjat, të cilat vendosen në ndërmarrjet, fabrikat, por edhe në terrenet ku realizohen punimet ndërtimore meqë ata janë të parapara me Ligj”, tregon inspektori për siguri dhe shëndet në punë.
Në bisedën që patëm me disa punëdhënës në Dibër u informuam se ata shprehin kënaqësi nga puna efikase e inspektorit shtetëror për siguri dhe shëndet në punë , meqë komunikimi me inspektorin u ka ndihmuar shumë në mbrojtjen e punëtorëve, por edhe në aspekt të respektimit të Ligjit. Ata thonë se lëndime ka patur, por për fat të mirë pa viktima. (koha.mk)