Dyfishohet numri i personave të prekur nga gripi

Katër persona me komplikime serioze nga gripi janë hospitalizuar në Klinikën Infektive në Shkup. Njëri nga katër rastet raportohet se është në gjendje më të rëndë si pasojë e gripit, ndërkaq numri i përgjithshëm të hospitalizuarve si rezultat i gripit në këtë Klinikë është 12.

“Gjatë mbrëmjes së djeshme është pranuar një pacient në gjendje shumë të rëndë me sëmundje të rëndë të mushkërive dhe është nën kujdes intenziv. Gjatë javës së shkuar në Klinikën Infektive janë kontrolluar 30 pacientë, ndërsa gjatë ditës së sotme dhe natës së mbrëmshme 4 pacientë të tjerë, për të cilët priten rezultatet të shihet nëse bëhet fjalë për grip”, njoftojnë nga Klinika Infektive Shkup.

Mjekët alarmojnë se fillimi i gjysmë-vjetorit të dytë shkollor pritet të sjellë numër edhe më të lartë të rasteve me grip. Për sezonin 2019-202 numri i rasteve me grip dhe sëmundjeve tjera të ngjashme me gripin është 1618 në gjithë territorin e vendit. Gjithsej 27,067 persona janë imunizuar me vaksinat pa pagesë, të siguruara nga ana e ministrisë së Shëndetësisë, ndërkohë rreth 15,000 persona të tjerë janë vaksinuar me vaksinat komerciale. /alsat-m