Lëndime të rënda ka marrë një ministër i BDI-së në ndërtesën e Qeverisë së Maqedonisë, merr vesh Gazeta Lajm nga burime qeveritare. Bëhet fjalë për ministrin e Drejtësisë, Bilent Saliji, të cilit dyert e rënda të vendosura nga qeveria e Gruevskit, i kanë lënduar njërin gisht. Rasti ka ndodhur gjatë pauzës në seancën e djeshme qeveritare. Saliji ka dalë për të pirë cigare, por nga pakujdesia – dera ia ka zënë gishtin dhe ia ka këputur një pjesë, thonë burimet tona. Ai menjëherë është dërguar në spital ku i është sanuar lëndimi dhe i është ngjitur pjesa e këputur, raporton Gazeta Lajm. Burime në Ministrinë e Drejtësisë thonë se Saliji tani është në gjendje të mirë shëndetësore, dhe se sot është paraqitur në vendin e punës por me dorë të lidhur.