Dy vite burg me kusht për gjyshin e Tamarës

24

Shkup, 11 prill – Gjyshi i Tamarës, Ljupço Stojanovski, i cili qëlloi me armë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Nikolla Todorov, ka pranuar se në mënyrë joligjore ka poseduar armën me të cilën ka gjuajtur.

Për këtë vepër ai ka marrë dënim 2 vite burg me kusht, nëse në 5 vitet e ardhshme nuk kryen vepër tjetër penale, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Stojanovski nuk pranoi akuzat për veprën “tentim vrasje” dhe për këtë lëndë ka filluar proces gjyqësor i veçantë.

Avokatja e Stojanovskit, Pavlina Zefiq, tha se gjyshi i Tamarës nuk ka pasur qëllim të gjuajë në drejtim të ish-ministrit, por ai ka dashur të shfrytëzojë ngjarjen e pranim-dorëzimit të postit të ministrit të Shëndetësisë, në të cilën e ka ditur se do të jenë të pranishme mediumet dhe të dërgojë mesazh deri tek pushteti që të sigurojnë kushte më të mira për kurimin e fëmijëve të sëmurë.

Sipas avokates, ata në procesin gjyqësor do të mundohen të tregojnë se gjuajtja me armë është kryer në momentin kur disa nga të pranishmit kanë tentuar që Stojanovskit t’ia marrin armën.

Seanca e radhës është caktuar për më 18 prill, kur duhet të dëshmojnë edhe babai dhe kushëriri i Todorovit.

Comments are closed.