Beograd, 17 dhjetor – Dy udhëtaret nga autobusi i Maqedonisë, i cili dje pësoi fatkeqësi të rëndë komunikacioni afër Leskovcit, ende janë në rrezik për jetë. Ato ndodhen në Qendrën klinike në Nish dhe janë të kyçura për aparate të frymëmarrjes, përderisa katër personat e tjerë të cilët ishin në mesin e udhëtarëve me lëndime të rënda dhe të cilët po mjekohen në Qendrën klinike Nish, janë në gjendje stabile dhe nuk ndodhen në rrezik për jetë.
“Tre nga pacientët në gjendje më kritike sot në mëngjes u kyçën në aparate të frymëmarrjes, ndërsa njëri prej tyre tashmë është hequr nga pajisja, sepse gjendja e tij është përmirësuar. Dy pacientet nga Maqedonia ende janë në aparate dhe në rrezik për jetë. Njëra prej tyre ka frakturë të rëndë pelvike dhe për atë arsye është operuar. Në rrjedhë janë analizat laboratorike në mënyrë që të ulet rreziku nga gjakderdhja, ndërkaq, sipas të gjitha gjasave, më vonë do të nevojitet të stabilizohet fraktura pelvike. Ajo ndodhet në gjendje mjaft të rëndë, ndodhej në shok hemorragjik, sepse pati gjakderdhje të madhe dhe po e ndjekim me kujdes”, deklaroi mjeku Dragisha Ljubenoviq, shef i kujdesit intensiv në Klinikën për anestezion dhe kujdes intensiv në Nish.
Sipas tij, pacientja e dytë e cila ndodhet në aparate, ka frakturë të shtyllës kurrizore në disa nivele.
“Dje gjendja e saj u përkeqësua, sepse krahas lëndimeve në shtyllën kurrizore, gjithashtu pati lëndime edhe të palcës kurrizore dhe prandaj është e kyçur në aparate të frymëmarrjes. Këtë mëngjes, gjendja e saj është më e mirë dhe ajo është më stabile. Ne vazhdimisht e ndjekim gjendjen e saj, ndoshta do të tentojmë ta heqim nga pajisja nëse përmirësimi vazhdon. Pacienti i cili ka lëndim në tru ishte në aparat të frymëmarrjes, por është hequr, sepse ka përmirësim të shëndetit të tij. Tre pacientët e tjerë kanë lëndime në krahëror me frakturë në dy, tre apo katër brinjë pa lëndime të indit të mushkërive. Ata janë në gjendje stabile, kështu që mund të themi se tani për tani kemi katër pacientë të cilët janë në “anë të sigurtë”, ndërsa për këto dy pacientet po luftojmë për përmirësim të gjendjes së tyre”, thotë dr. Ljubenoviq.
Tetë të lënduarit më lehtë, të cilët mjekohen në spitalin në Leskovc, do të transferohen në Maqedoni për trajtim të mëtutjeshëm deri nga fundi i kësaj jave. Për udhëtarët e tjerë, tashmë është organizuar transporti drejt Maqedonisë.
Në Serbi ende është në rrjedhë hetimi për fatkeqësinë e komunikacionit afër Leskovcit, në të cilën u lënduan 32 persona, ndërsa jetën e humbën gruaja 68-vjeçare nga Koçani me inicialet K.K. dhe një burrë po ashtu 68-vjeçar nga fshati i Krushevës Buçin me iniciale V.SH. Sot është identifikuar edhe viktima e tretë, ajo është gruaja 63-vjeçare V.K. nga Kavadari.
Nga policia dhe nga shërbimet hetuese të Serbisë informuan se hetimi ende është në rrjedhë dhe për një javë do të dalin me të dhëna të plota. Shoferi i autobusit, të cilin në Serbi e quajtën “autobusi i vdekjes” sipas ligjeve serbe, për shkak të tre viktimave, ndodhet në paraburgim.
Udhëtarët të cilët udhëtuan nga disa qytete të Maqedonisë drejt Vjenës me transportuesin Euro Bus nga Veleshta e Strugës, ishin kryesisht mërgimtarë nga Maqedonia, ndërsa në momentin e fatkeqësisë të gjithë kanë qenë në gjumë.
Sipas dëshmisë së të mbijetuarve, fatkeqësia ndodhi për shkak të kushteve atmosefrike të borës, ngricës dhe shpejtësisë jo të adaptuar të vozitësit të autobusit prej pothuajse 100 km në orë dhe mundësisë që vozitësin ta ketë kapluar gjumi.
Autobusi e humbi kontrollin, ka dalë nga autostrada, pas çka është rrotulluar disa herë. Falë intervenimit me kohë prej vetëm gjysmë ore nga fatkeqësia e automjeteve të Ndihmës së shpejtë nga Nishi dhe Leskovci, zjarrfikësve dhe udhëtarëve të rastit, të cilët nga autobusi i përmbysur i kanë nxjerrë të lënduarit, është parandaluar fatkeqësia më e madhe.
Ndihmë e madhe dhe e pakursyer është ofruar edhe nga kryetarët e komunave të Nishit dhe Leskovcit, nga entet shëndetësore të këtyre dy qyteteve gjatë shpëtimit dhe përkujdesjes së të lënduarve.