Diego Maradona iu afrua suksesit dy herë me Dorados de Sinaloa, por kjo iu mohua po kaq herë nga Atletico San Luis. Ndeshja e dytë e finales Clausura shkoi në kohën shtesë, të dielën, kur një gol i Unai Bilbao ishte i mjaftueshme për të tijtë, që të fitonin divizionin e dytë. Finalja e parë, javën e kaluar, mbaroi 1-1, me Dorados që iu dha një penallti e diskutueshme në pjesën e parë.
Legjenda argjentinase e futbollit mbërriti para sezonit të kaluar në Sinaloa dhe pati sukses, duke qenë i pamposhtur për nëntë ndeshje, përpara se të përballej me Atletico në finale dhe të rrëzohej. Edhe këtë sezon mbërriti në finale, por përsëri, trajneri veteran meksikan, Alfonso Sosa, ishte në gjendje t’ia hiqte nga dora trofeun “Pibe D’Oro”.
Atletico San Luis, kampion i Apertura dhe Clausura, siguroi ngjitjen automatike në divizionin e parë. Ky është klubi i parë, që nga Necaxa (2009-2010), që i fiton dy garat e brendshme dhe e bën të pavlefshme finale për t’u ngjitur më lart. Klubi në fjalë është pjesërisht në pronësi të klubit La Liga-s, Atletico Madrid, dhe ka një qasje të fortë spanjolle, me pesë lojtarë nga ky vend, që luajtën në formacionin startues të dielën.