Ankara, 6 nëntor – Një gjykatë në Stamboll dënoi me nga shtatë vjet e gjysmë heqje lirie dy shtetas turq që ishin pjesë e grupit prej gjashtë personave që u dëbuan nga Kosova në mars të vitit 2018.
Agjencitë turke të lajmeve thanë se Osman Karakaya dhe Cihan Özkan janë shpallur fajtorë për veprën “pjesëmarrje në organizatë të armatosur terroriste”, ndërsa janë liruar nga akuza,”spiunazh ndërkombëtar”, transmeton gazeta KOHA.
Të dy të dënuarit i kanë mohuar akuzat.
Më 29 mars të vitit 2018, autoritetet në Kosovë arrestuan gjashtë shtetas turq, punonjës të institucioneve në pronësi të klerikut turk Fethullah Gulen, të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje për grusht shteti në Turqi në korrik të vitit 2016.
Të gjashtët ju dorëzuan autoriteteve turke në një operacion që la pas vetes shumë paqartësi, shumë kritika ndaj institucioneve dhe nxiti një përplasje deklaratash ndërmjet presidentit turk Recep Tayipp Erdogan dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Pas operacionit qenë shkarkuar drejtori i Agjencisë së Zbulimit Driton Gashi dhe ministri i brendshëm Flamur Sefaj.
Në muajin gusht të këtij viti Prokuroria e Posaçme e Kosovës ka pranuar kallëzime penale nga Inspektorati Policor i Kosovës ndaj 22 zyrtarëve të policisë së Kosovës lidhur me operacionin e dëbimit të shtetasve turq.
Menjëherë pas dëbimit, ishte ngritur një komision hetimor parlamentar për të hetuar lëshimet dhe përgjegjësitë e institucioneve në këtë operacion. Komisioni kishte gjetur 31 shkelje nga institucionet e vendit gjatë atij operacioni dhe shkeljet më të mëdha, sipas udhëheqësve të komisionit, janë bërë nga Agjencia e Zbulimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme.(koha.mk)