“Atë që ta bën i yti, nuk ta bën askush. Ky është dështim për politikanët shqiptarë, ata rrinë në Qeveri si kukulla. Unë kam aplikuar tri herë për shtetësi dhe më kanë refuzuar. Arsyet pse jam refuzuar është se, sipas tyre, kam qenë pjesëmarrës në luftëra dhe se kam lidhje me Iranin!”, tregon Enver Idrizi, ndërsa shton se për zgjidhjen e problemit me shtetësinë, i është drejtuar edhe Agjencisë për Rini dhe Sport, me propozim të së cilës shumë sportistë që nuk kanë madje asnjë lidhje me Maqedoninë, u janë dhënë shtetësi
Xhenur ISENI
Shkup, 26 shkurt – Dy salla sporti, njëra në Saraj dhe tjetra në Çair, mbajnë emrin e ish kampionit të botës në karate, Enver Idrizi. Së fundmi – Qyteti i Shkupit ka përpiluar një listë për emërimin e rrugëve, ku figuron edhe i Enverit. Deri këtu gjithçka në rregull, pos absurdit që Enver Idrizi – i lindur dhe i rritur në Saraj të Shkupit, vazhdon të mos ketë shtetësi. I refuzuar tri herë mbështetur në shpifje dhe trillime nga zyrtarë policor, Enver Idrizi për gazetën KOHA tregon se të tre aplikimet për shtetësi, ka marrë përgjigje se është i “rrezikshëm për shtetin”.
Ish-kampioni botëror në Karate, Enver Idrizi një pjesë të fajit ua hedh edhe përfaqësuesve shqiptarë në pushtet që nuk kanë bërë sa duhet lidhur me çështjen e shtetësisë jo vetëm të tij, por edhe për shqiptarët në përgjithësi. “Atë që ta bën i yti, nuk ta bën askush. Ky është dështim për politikanët shqiptarë, ata rrinë në Qeveri si kukulla. Unë kam aplikuar tri herë për shtetësi dhe më kanë refuzuar. Arsyet pse jam refuzuar, është se më kanë akuzuar që kam qenë pjesëmarrës në luftëra. Më kanë akuzuar edhe se kam lidhje me Iranin”, tregon Idrizi, ndërsa shton se për zgjidhjen e problemit me shtetësinë, i është drejtuar edhe Agjencisë për Rini dhe Sport, me propozim të së cilës ka shumë raste kur sportistëve të dalluar u janë dhënë shtetësi të Maqedonisë.
“Unë para disa viteve jam drejtuar edhe tek Agjencia për Rini dhe Sport, por atje as që e morën në konsideratë kërkesën time, edhe pse kisha ofruar gjithë dokumentacionin si sportist i dalluar dhe ish-kampion bote”, shprehet ai. Idrizi, mes tjerash njofton se sot (e premte) përsëri do të aplikojë për shtetësi, ndërsa falënderon shkupjanët që emrin e tij e kanë propozuar në listën e rrugëve në kryeqytet. “Unë nesër (e premte) prapë në institucionet e shtetit do të aplikoj për shtetësi, sepse më takon, jam rritur dhe shkolluar në këtë vend. Megjithatë i falënderoj qytetarët e Shkupit që më kanë propozuar që një rrugë e këtij qyteti, të bartë emrin tim”.
Enver Idrizi ka lindur dhe shkolluar në Saraj të Shkupit. Kampion karateje i Jugosllavisë u bë në moshën 16-vjeçare, ndërsa është ndër shqiptarët që padyshim e meriton të futet ndër më të shquarit sportistë të racës tonë. Kur nuk kishte mbushur ende 16 vjeç, do të përfaqësonte Maqedoninë për të rritur dhe do të fitonte titullin Kampion në ish Jugosllavinë e atëhershme.
Por për dallim nga Enver Idrizi, që edhe përskaj sukseseve të tija botërore në karate shteti nuk i ka ndarë akoma shtetësi, ndryshe ka vepruar me sportist tjerë, madje që nuk kanë asnjë lidhje me Maqedoninë. Kemi rastin e ish seleksionuesit të reprezentacionit maqedonas të Hendbollit, kroatin Lino Çevrar, të cilin shteti maqedonas e pajisi me shtetësi pasi pati disa suksese në drejtimin e kombëtares maqedonase. Çevrar ka qenë dhe trajner i klubit të hendbollit “Metalurg”. Por jo vetëm ky rast. Të shumta janë rastet kur sportistë tjerë, shtetas të huaj, janë pajisur edhe me shtetësinë e Maqedonisë pasi kanë vendosur ta përfaqësojnë vendin në sporte të ndryshme. Rast është edhe ai i basketbollistit amerikan Xhordan Teodor, të cilin qeveria e pajisi me pasaportë maqedonase dhe më pas luajti dhe për reprezentacionin e Maqedonisë.