Kërçovë, 7 prill – Ka përfunduar ndërtimi i dy rrethrrotullimeve të reja në rrugën “Marshall Tito”, para xhamisë “Kulla e Bardhë” në Kërçovë, në kryqëzimin në rrugën drejt kazermave “Çede Filiposki – Dame” dhe vendbanimit Pashino, si dhe një para hyrjes në kazermë.
Burim Kadriu nga Komuna e Kërçovës tha se ndërtimi i këtyre dy rrethrrotullimeve është me qëllim të përmirësimit të sigurisë në komunikacion.
“Për të përmirësuar sigurinë në komunikacion, si dhe për të siguruar qarkullim më të shpejtë të automjeteve, kemi filluar ndërtimin e këtyre dy rrethrrotullimeve në rrugën “Marshall Tito”, para xhamisë së re në lagjen “Kulla e Bardhë” dhe para hyrjes në kazermë, por gjithashtu është rindërtuar edhe infrastruktura nëntokësore e kësaj rruge me trotuare të reja dhe me ndriçim”, tha Kadriu.
Ai shtoi se ky investim infrastrukturor është financuar me fonde nga Buxheti i komunës në vlerë prej 8.7 milionë denarëve. (koha.mk)