Dy prezantime “shqip” në 40 net. “Vera e Ohrit”, një edicion si të tjerët

Teatri Shqiptar i Shkupit dhe interpretuesi nga Shqipëria, violinisti Elvin Hoxha, janë ndër përfaqësuesit e vetëm në këtë edicion, ku pritej që të mos mungonin emra të njohur të muzikës të cilët vitin e kaluar ishin planifikuar të merrnin pjesë. Prej disa vitesh interesimi për prezencën e artistëve shqiptarë që performojnë në botë ka ardhur duke u reduktuar, së bashku me numrin e tyre

Evis HALILI

Shkup, 29 maj – Edicioni i 58-të i festivalit “Vera e Ohrit” këtë vit do të ngjisë në skenë rreth 800 artistë nga 27 vende të botës, emra të njohur të muzikës dhe teatrit. Por në manifestimin me më renome muziko-skenik, numri i artistëve shqiptarë që do të performojnë është shumë i vogël, shkruan gazeta KOHA. Teatri Shqiptar i Shkupit dhe interpretues nga Shqipëria (violinisti Elvin Hoxha), janë ndër përfaqësuesit e vetëm në këtë edicion, ku pritej që të mos mungonin emra të njohur të muzikës të cilët vitin e kaluar ishin planifikuar të merrnin pjesë. Prej disa vitesh, interesimi për prezencën e artistëve shqiptarë që performojnë në botë ka ardhur duke u reduktuar, së bashku me numrin e tyre. Teatri Shqiptar i Shkupit do të prezantohet me “Vdekjen e Dantonit”, me regji nga Dino Mustafiq, premiera e së cilës u dha pak ditë më parë. Shfaqja është planifikuar të luhet më 22 korrik, në Qendrën e Kulturës së qytetit “Gligor Përliçev”. Ndërsa performanca e vilionistit Elvin Hoxha do të jetë në kishën e Shën Sofisë, më 15 gusht, i shoqëruar nga pianisti Vlladim Glladkov nga Ukraina.

Sipas ministrit të Kulturës, Robert Allagjozovski, kjo ngjarje për cilësinë në përmasa botërore që ofron është përfaqësuese e fuqisë unifikuese të kulturës.

“Këtë vit do të kemi një festival të shkëlqyer, të mbushur me koncerte dhe shfaqje, për të cilat presim që të provokojnë refleksione dhe polemika, të çelin horizonte të reja, të jenë provokime artistike dhe të sjellin risi e freski për Ohrin tonë”, ka thënë ministri në konferencën e organizuar të hënën në këtë qytet. Organizatorët e këtij festivali, në prezantimin e programit të këtij viti kanë paralajmëruar prezencën e artistëve nga vende si Rusi, Japoni, Kanada, Kubë, Kinë, Spanjë, Itali, Francë, Bullgari, Turqi… dhe ish republikat e Jugosllavisë. Soprano Elena Moshuc, e njohur si Mbretëresha e natës është ylli i këtij edicioni, që së bashku me baritonin Kalin Bratesku po nga Rumania, dirigjentin Nilollae Moldoveanu dhe orkestrën e Filarmonisë së Maqedonisë do të hapin festivalin më 12 korrik në Teatrin Antik. Edhe mbyllja e festivalit sipas organizatorëve parashikohet të jetë spektakolare, me “Iliadën” e Homerit, shfaqjen teatrore të regjisorit Jernej Lorenci. Kështu ka deklaruar selektori i programit të dramës, Aleksandër Popovski, duke e cilësuar këtë shfaqje si projektin më të madh të shfaqur në Teatrin Antik. Shfaqjet e tjera janë prezantime kryesish të teatrove vendase, por edhe të ftuar nga Serbia, Kroacia dhe Sllovenia. Gjatë këtij festivali do të dominojë muzika klasike dhe emra legjendarë të muzikës botërore, ka deklaruar selektori i muzikës, Vaso Ristov. Ai ka përmendur emra si Nikollaj Liganski, Aleksandër Knjazev, Antonio Serano, Sergej Krillov, e të tjera.

“Është nder të prezantojmë programin cilësor të 40 ditëve të festivalit, që janë festë për artin e manifestimit më të madh muziko-skenik, që nga viti në vit e shkruan historinë e vet me emra të famshëm të elitës botërore të muzikës dhe kreacioneve teatrore. Ju siguroj se risitë që do t’i sjellë ky edicion do të çojnë më tej traditën e suksesshme, por njëherazi do të bartin edhe dimensionin modern që do të pasurojë historinë e këtij festivali”, ka thënë ndër të tjera drejtoresha e Verës së Ohrit, Suzana Vrencovska. Meqenëse vetë festivali zhvillohet në skenat më atraktive të qytetit, Ministria e Kulturës këtë vit një pjesë të fondeve ia ka akorduar sanimit të mjediseve ku do të performojnë artistët, si skena e Sarajit të poshtëm rikonstruktimi i së cilës do të kushtojë 1,4 milionë denarë. (koha.mk)