Dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë pësuar aksident të rëndë në Kaçanik, pasi kanë rënë me veturë nga ura mbi lumin Lepenc, prej një lartësie rreth 150 metra, raporton Gazeta Metro.
Lajmin e ka konfirmuar për Metron zëdhënësi i Policisë së rajonit të Ferizajt, Agim Gashi.
Përmes telefonit, Gashi ka thënë që policët kanë qenë në një makinë të policisë dhe janë vet-aksidentuar duke rënë nga ura mbi Lepenc. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00.
“Një veturë e policisë me dy pjesëtarë ka rënë në lumin Lepenc. Jemi duke i kërkuar trupat e tyre. Nuk dihet ende asgjë. Të gjitha njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po kontrollojnë dy anët e brigjeve të lumit. Nuk dihen shkaqet, por vetura ka thyer barrierat e urës duke rënë poshtë”, ka thënë Gashi.
Gjithashtu, ai ka thënë që njësitet e shumta policore dhe të tjera njësi relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar kërkimet, por deri më tash është arritur të gjendet vetëm vetura e policisë, e cila është në lumë. Ende nuk dihen saktë shkaqet e aksidentit. /gazetametro.net