Real Madridi e ka kritikuar gjyqtarin e ‘El Clasico-s’, Alejandro Hernandez Hernandez dhe gjyqtarin e VAR-it, Richardo de Burgos Bengoetxea në ueb-sajtin zyrtar të klubit. Klubi madrilen ka reaguar ashpër pasi nuk iu akorduan dy penallti në Raphael Varanen në pjesën e parë në ndeshjen ndaj Barcelonës, shkruan Zëri.info, përcjellë gazeta Koha.
“Raphael Varane ishte i përfshirë në dy momente kontroverse në ‘El Clasico’ në Camp Nou”, thuhet fillimisht në njoftimin e Real Madridit. “Francezi mund të kishte dy penallti në pjesën e parë, por Hernandez Hernandez nuk i akordoi asnjëren prej tyre. Në minutën e 17-të, madrilenët kishin një korner para se Lenglet të ndërhynte në Varane, por as kjo nuk mjaftoi”, thuhet më tej në ueb-sajtin e Real Madridit.
Tutje, Real Madridi e përmendi edhe rastin kur Ivan Rakitic ndërhyri ashpër në njërin prej futbollistëve madrilen në zonën e rrezikshme. “Dy minuta më pas, mbrojtësi ynë (Varane) kishte një moment me Ivan Rakitic, i cili e tërhoqi fanellën e tij. Megjithatë, as kjo nuk u akordua penallti”, thuhet në mes të tjerash në njoftim.
Ndryshe, ndeshja e djeshme mes Barcelonës dhe Real Madridit në ‘Camp Nou’ përfundoi baras 0:0.