Shkup, 27 dhjetor – Dy objektet e çerdheve “Borbardha” në Çair, sot ishin pa fëmijë pasi kanë filluar grevë për shkak se ende nuk i kanë marrë rrogat e nëntorit.
Siç njofton “Alsat-m”, vendimi për grevë ishte i njëzëshëm nga të gjithë 75 të punësuarit në këtë institucion.
Drejtuesit e Sindikatës kërkojnë zgjidhjen e problemit duke përkujtuar se gjysma e të punësuarve kanë kredi dhe janë nëna kryefamiljare.
“Nuk kërkojmë asgjë më shumë, kishte grevë për rritje të rrogës e shumë kërkesa të tjera, ne kërkojmë vetëm atë themelore, pagesën e rrogës për muajin nëntor sa më shpejt të është e mundur. Nëse na jepet ndonjë shenjë e mirë se do të rregullohet ne menjëherë do ta ndërpresim grevën ose e lëmë në heshtje në marrëveshje me personeli, kjo është e gjithë arsyeja”, deklaruan nga Sindikata.
Nga Komuna e Çairit thonë se janë në njohuri të grevës mirëpo nuk mund të bëjnë asgjë për shkak të mungesës së kryetarit të Këshillit komunal
“Komuna e Çairit njofton se arsye për vonesën e pagave të edukatoreve të kopshteve për fëmijë “Fidani” dhe “Borëbardha” është stagnimi në procesin e zgjedhjes së Kryetarit të Këshillit Komunal. Vendimet e miratuara nga ana e Këshillit të Komunës kanë plotfuqishmëri juridike vetëm pas nënshkrimit të Kryetarit të Këshillit bazuar në nenin 48 paragrafi 3 për obligimet e Kryetarit të Këshillit nga Ligji për vetëqeverisje lokale”, informojnë nga Komuna e Çairit.
Edukatoret e këtij kopshti thonë se do të vazhdojë greva edhe ditëve të tjera deri sa të zgjidhet problemi me rrogat e tyre. Nga dita e nesërme grevë ka paralajmëruar edhe çerdhja tjetër e kësaj komune “Fidani”.