Janë dy mundësi për përmbylljen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Komentet e tij, Haradinaj i bëri pas takimit që zhvilloi në Berlin me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Dialogu me Serbinë, çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe bashkëpunimi reciprok, u tha se ishin temat kryesore që u diskutuan gjatë takimit Merkel – Haradinaj.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Haradinaj tha se nuk pret që procesi të përmbyllet shpejt. “Janë dy mundësi – e para është mundësia e një vendimi të madh dhe ne duhet që ende të shpresojmë në këtë mundësi, sidomos pas involvimit të presidentit Donald Trump dhe tash të përfshirjes direkte të kancelares Angela Merkel dhe presidentit Emmanuel Macron për arritjen e një marrëveshjeje të madhe. E nëse kjo nuk arrihet, atëherë mundësia tjetër është të ketë një proces disa mujor apo disa vjeçar”, tha Haradinaj. Kryeministri i Kosovës tha se megjithatë, nuk shpreson shumë se do të ketë një marrëveshje të shpejtë, duke parashikuar mundësinë që fillimisht të ketë një marrëveshje kornizë e cila përmes një përfaqësuesi special ndërkombëtar do të diskutohet deri në finalizimin e saj.
“Ndoshta duhet ta shfrytëzojmë këtë energji për një kornizë marrëveshje të parë e cila pastaj do të negociohet në një proces nga një përfaqësues i lartë ndërkombëtar siç ishte Federica Mogherini, por do të jetë një tjetër, dhe unë mendoj se Berlini do të ketë prezencë direkte me një përfaqësues special apo me një të ngarkuar në këtë proces”, theksoi Haradinaj. Vazhdimi i dialogut dhe arritja e marrëveshjes është në interesin e Kosovës dhe Serbisë, tha Haradinaj, por si Kosovë, theksoi ai, çështje e pazgjidhur ka mbetur njohja e Kosovës nga Serbia dhe ky, sipas tij, duhet të jetë qëllimi kryesor. Sipas Haradinajt, kancelarja Merkel ishte e interesuar për vazhdimin e dialogut. Ai tha se është diskutuar edhe çështja e taksës 100 për qind të cilën Qeveria e Kosovës e ka vënë për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina dhe e cila po shihet nga Serbia si pengesë për dialogun.
Por, Haradinaj tha se në këtë fazë nuk ka asnjë vendim për heqjen apo pezullimin e taksës, duke ritheksuar se dialogu duhet të vazhdojë pa kushtëzime. Takimi i Haradinajt me kancelaren Merkel po shihet edhe si parapërgatitje e takimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, më 1 korrik në Paris, nikoqir i të cilit do të jetë presidenti francez, Emanuel Macron.