Dy konkurse vjetore, s’ka përfitime nga çmimet

47

Një prej ndryshimeve që do të sjellë ligji i ri është konkursi vjetor për financimin e kulturës, i cili do të ndahet në dy pjesë, ose në dy konkurse që do të zhvillohen dy herë në vit – në muajin shtator dhe mars. Me arsyetimin se dispozitat e ligjit të mëparshëm nuk kontribuojnë në zhvillimin e kulturës dhe në vite kanë shkaktuar pasoja të mëdha financiare për buxhetin e shtetit, është propozuar që të shfuqizohen përfitimet e fituesve në pension të çmimeve shtetërore

Evis HALILI

Shkup, 25 nëntor – Propozim-ligji për realizimin e interesit në kulturë vazhdon të qëndrojë në procedurat parlamentare. Dy vjet pasi i kaloi të gjitha fazat e debatit publik dhe miratimin nga Qeveria në Komisionin për kulturë, pritet që debati për këtë propozim-ligj të fillojë së shpejti. Disa kohë më parë, ministrja e Kulturës dhe ish kryetare e Komisionit parlamentar të kulturës apeloi për përshpejtimin e procedurave për miratimin e këtij ligji, që do të sjellë sa ndryshime thelbësore, po aq edhe konceptuale për kulturën në përgjithësi.

Me ligjin e ri, që interesin e financimit në kulturë e kalon nga nacional – në interes publik, pretendohet të krijohet baza juridike për mënyrën më efikase dhe transparente të financimit të kulturës. Një prej ndryshimeve që do të sjellë Ligji i ri është Konkursi vjetor për financimin e kulturës, i cili do të ndahet në dy pjesë, ose në dy konkurse që do të zhvillohen dy herë në vit, në muajin shtator dhe mars. Vlerësuesit e projekteve – anëtarët e jurisë, do të emërohen përmes thirrjeve publike dhe jo nga Ministria e Kulturës si deri tani. Sa i takon institucioneve nacionale, Programi vjetor do të hartohet në bazë të planifikimit buxhetor për një periudhë jo një, por tre vjeçare dhe do të realizohet përmes programeve vjetore.

Për miratimin e projekteve të institucioneve nacionale nuk do të vendosin komisionet, por disa komisione të veçanta profesionale të formuara nga ministri. Ligji po ashtu ka rishikuar edhe të drejtën për “kompensim pensioni” të një artisti në pension dhe profesionistit në fushën e trashëgimisë kulturore, të cilët janë fitues të çmimeve shtetërore, si dhe lidhur me institutin “Ambasadorët e Kulturës”. Me arsyetimin se dispozitat e ligjit të mëparshëm nuk kontribuojnë në zhvillimin e kulturës dhe në vite kanë shkaktuar pasoja më të mëdha financiare për buxhetin e shtetit, është propozuar që të shfuqizohen këto përfitime. Projektligji ofron një përkufizim të ri të termit “artist i pavarur”, një kategori për të cilën do të mbahet një regjistër dhe këtyre përdoruesve të fondeve të buxhetit do t’u sigurohen përfitime për pagesën e kontributeve të shëndetit, pensionit dhe sigurimeve shoqërore. Një risi është se përveç artistëve, e drejta për të përfituar nga buxheti për këto kontribute punësimi propozohet të kenë edhe personat që kryejnë punë profesionale në kulturë në formën e profesionit, siç janë menaxherët kulturorë, kuratorë dhe profesionistë në fushën e mbrojtjes të trashëgimisë kulturore.

Dispozitat për punësimin në kulturë dhe statusin e artistëve dhe punonjësve profesionistë në kulturë siç janë tani në Ligjin për Kulturë, si “ofrues të shërbimeve” dhe asistentë administrativë dhe teknikë, janë rishikuar, por ato ende janë në përputhje me rregulloret për punonjësit e sektorit publik. Në ligjin e ri, termi “ofrues të shërbimeve” zëvendësohet me termin “ofrues”. Si çështje specifike për kulturën, propozohet të rregullohen edhe përcaktimi i dy kategorive të bartësve të veprimtarisë në kulturë, artistë dhe profesionistë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Projektligji rregullon edhe audicionin, si një detyrim gjatë punësimit për herë të parë, pa përvojë pune, gjatë mobilitetit ose ngritjes në detyrë. Ndryshimet parashikohen në pjesën e reaudicionit dhe mënyra, afati dhe kriteret për kryerjen e procedurës së kontrollit të cilësisë do të rregullohen me një akt të përgjithshëm të miratuar nga Bordi, me propozimin e drejtorit, dhe me pëlqimin paraprak të Ministrisë së Kulturës. (koha.mk)