Shkup, 23 prill – Asnjëri prej kandidatëve nuk e ka marrë numrin e nevojshëm të votave për zgjedhjen e presidentit të të shtetit në rrethin e parë. Stevo Pendarovski fitoi 323.892 vota, Gordana Siljanovska-Davkova 319.364 , ndërsa Blerim Reka 79.921 vota. Në pajtim me Kodin zgjedhor në rrethin e dytë nga gara presidenciale do të garojnë Pendarovski dhe Siljanovska-Davkova. Pas një dallimi shumë të ngushtë në numrin e fituar të votave nga rrethi i parë nga shtabet e dy kandidatëve presin fitore në rrethin e dytë, transmeton Koha.
“Pres fitore të bindshme dhe pa mëdyshje në rrethin e dytë që Maqedonia më në fund të ketë një president për të gjithë qytetarët”, deklaroi dje kandidati për president, Stevo Pendarovski.
Ai konfirmoi se pas marrjes së rezultateve pas përfundimit të rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale, nuk ka pasur bisedime me partitë opozitare shqiptare dhe nuk do të shkohet në bisedime sepse, tha, nuk është e nevojshme tregti politike. Lidhur me mundësinë që të kërkohen votat nga kandidati presidencial Blerim Reka, ai e përsëriti deklaratën e Rekës në të cilën thuhet se votuesit e tij pas rrethit të parë, janë persona me qëndrim të tyre dhe siç dua ashtu duhet të vendosin në rrethin e dytë.
“Kam ndërmend ta promovoj konceptin tim. Në rrethin e dytë hyjnë dy koncepte me diametër të ndryshëm. Njëri koncept për të cilin angazhohemi është Maqedoni euroatlantike e integruar dhe brenda inkluzion i të gjitha bashkësive etnike në sistem. Në anën tjetër kemi koncept nacionalist-populist nga shekulli i 19-të”, theksoi mes tjerash Pendarovski, ndërsa qytetarëve të cilët votuan për Rekën u porositi se e pret mbështetjen e tyre në rrethin e dytë.
Nga VMRO-DPMNE-ja megjithatë mendojnë se rezultatet nga rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale janë një realitet i ri dhe tregues se “qytetarët kanë përzgjedhur drejtësi pikërisht për Maqedoninë dhe se pushteti ka përjetuar humbje të rëndë”.
“Rezultatet e zgjedhjeve treguan se VMRO-DPMNE-ja është forcë politike me besim më të madh mes qytetarëve dhe se politikat e pushtetit përjetojnë humbje. LSDM-ja si parti politike në mënyrë dramatike e humb mbështetjen tek qytetarët dhe këtë e konfirmojnë numrat dhe faktet. Pushteti, veçanërisht LSDM-ja është e delegjitime. Populli nuk u beson”, ka thënë Igor Janushev nga VMRO-DPMNE-ja.
Dita e djeshme, sipas tij, gjithashtu konfirmoi edhe se mes qytetarëve qeveris një apati e vërtetë për shkak të realitetit të dhimbshëm të ngarkuar me krim, korrupsion dhe varfëri. Për shkak të padrejtësisë të cilën e ndjen çdo njeri. Qytetarët, thotë, ndjehen të mashtruar nga ana e pushtetit.
“Përgjigja e apataisë është e thjeshtë, votim masiv në rrethin e dytë të zgjedhjeve më 5 maj dhe konfirmim se qytetarët janë ata të cilët vendosin. Populli është më i fuqishëm se çdo pushtet dhe populli është i vetëdijshëm se me fletëvotim e fitojmë padrejtësinë”, ka thënë ai dhe shtoi se Gordana Siljanovska-Davkova është zgjedhja e qytetarëve, ajo është zgjedhja sepse është personifikim i drejtësisë, njeri me kredibilitet dhe qëndrim të saj. (koha.mk)