Policia e Leipzigut është duke zhvilluar kërkime intensive për dy fëmijë vëllezërit me prejardhje nga Kosova, Leotrim N. 11 dhe Qëndrim N., 13 vjeç. Dy fëmijët me banim në Borsdorf afër Leipozigu, kanë humbur nga mëngjesi i të enjtes, 19 prill (ora 6), kur për herë të fundit janë parë në qendrën e strehimit ku banojnë me familjen.
Ata janë nisur për të shkuar në shkollë, ka informuar nëna e tyre por, në shkollë nuk kanë arritur, transmeton albinfo.ch. Siç bën të ditur policia, Leotrimi dhe Qëndrimi nuk kanë shokë në qytezën Borsdorf ku banojnë dhe as ndonjë pikë ose shtëpi në rrethinë ku mund të pritej që të shkonin.
Policia jep përshkrimin e dy adoleshentëve për identifikimin e tyre, që mund të ndihmojë ata që eventualisht mund të hasin në dy të humburit.
Qëndrimi 13 vjeçar është i gjatë në mes 1 metër e 50 dhe 1 metër e 55. I zbehtë, flokë të verdha (bjond) dhe të shkurtra, sytë e kaltër. Ka pasur të veshur: një xhaketë (jakne) të bardhë, patika (atlete) të zeza Adidas. Flet shqip dhe gjermanishte fillestarësh.
Leotrimi 11 vjeçar është i gjatë 1 metër e 40, flokë të zezë, të shkurtë, sy ngjyrë kafe. Flet shqip dhe gjermanishte fillestarësh.
Të gjitha masat e deritashme të ndërmarra për dy fëmijët kanë dështuar, thotë një zëdhënës policie dhe lut qytetarët të japin informacione në rast se dinë ndonjë gjë rreth të humburve.