Vjollca SADIKU
Dibër, 21 prill – Duke marrë parasysh se Krahina e Dibrës është një, pa marrë parasysh kufijtë që e kanë ndarë dysh, dibranët kanë themeluar vetëm një shoqatë të historianëve. Shoqata e Historianëve Dibranë, siç e ka emrin punon dhe vepron në të dy anët e kufirit, edhe atë me shumë sukses, shkruan gazeta KOHA. Para shënimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shtetit shqiptar, në të dy Dibrat kanë funksionuar dy shoqata të historianëve, të cilat kanë pasur bashkëpunim vëllazëror, por nuk kanë qenë një shoqatë. Në 100 vjetorin e pavarësisë të shtetit shqiptar nga dy shoqata të historianëve të Dibrës së Madhe dhe Dibrës së Vogël, është themeluar një shoqatë e historianëve në të cilën ka historian të të dy Dibrave, kurse kryetar është historiani i njohur nga Peshkopia, Moisi Mura.
Shoqata e vetme e historianëve dibran u themelua me iniciativë të historianëve të të dy Dibrave, thotë anëtari i kësaj shoqate, profesori i historisë nga Dibra e Madhe, Ramadan Imeri. Ishte një nevojë e kohës , meqë në të dy Dibrat vepronin dy shoqata, edhe pse trajtonin një temë, historinë e Dibrës, thotë për KOHA, Imeri. “Në 100 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar vendosëm si historian, pa marrë parasysh kufijtë, të ketë vetëm një shoqatë të historianëve dibranë, e cila do të merret me çështjet historike të Krahinës së Dibrës. Në këtë shoqatë e cila numëron 13 anëtarë, historian të njohur të kësaj treve etnike shqiptare, 7 anëtarë janë nga Dibra e Vogël, kurse 6 nga Dibra e Madhe”, thotë profesori i historisë, Ramadan Imeri. Ai thekson se plot pesë vite nga themelimi i kësaj shoqate puna e saj vlerësohet shumë. Shoqata me programin e saj ka paraparë dhe realizon aktivitete të shumta nga sfera e studimeve historike, grumbullimit të fakteve historike, organizimit të seminareve historike si dhe tubimeve të ndryshme shkencore. Është një program i pasur, i cili është efektiv dhe me programin janë përcaktuar edhe aktivitete të ndryshme me rastin e shënimit të datave historike kombëtare shqiptare, figurave historike dibrane, por edhe angazhimi i shoqatës për të zbardhur shumë ngjarje dhe personalitete dibrane, të cilët kanë një domethënie të madhe mbarëshqiptare, thotë anëtari i shoqatës, Ramdan Imeri. Ai sqaron se aktivitetet dhe shënimet e datave historike dhe të personaliteteve të njohura dibrane realizohen si në Dibër të Madhe ashtu edhe në Peshkopi. Bashkëpunimi mes historianëve nga të dy Dibrat, është në nivel të lartë dhe takimet e kësaj shoqate mbahen si Dibër dhe Peshkopi dhe në to, pa marrë parasysh lokacionin, gjithmonë trajtohen temat historike në interes të historisë së Krahinës së Dibrës.
Anëtarët e shoqatës janë historianë, të cilët në një pjesë të madhe kanë botimet e veta. Bëhet fjalë për botime që kanë të bëjnë me personalitet kombëtare, data historike, por edhe studime historike të ngjarjeve që kanë ndodhur në mbrojtjen e Dibrës, edhe atë nga Kalaja e Dodës e deri tek Mavrova. Sidomos, duhet theksuar veprat historike të njohura të kryetarit aktual të shoqatës, Moisi Mura. Ai ka botuar një fond të pasur të librave dhe prezantimeve në tribunat historike të personaliteteve dibrane, siç janë Said Najdeni, Hafiz Sherif Langu, Josif Bageri, Suf Xhelili, Dine Dema, Aqif Lleshi, Haki Sharofi etj. Veprimtaria e kryetarit të kësaj shoqate, siç thotë historiani dibran, Ramadan Imeri, është shumë e pasur dhe ka një domethënie jo vetëm dibrane, por edhe mbarëkombëtare. Shoqata në fjalë me programin vjetor të punës edhe gjatë vitit 2017 ka paraparë aktivitete në të dy anët e kufirit, respektivisht në territorin e Krahinës së Dibrës në lidhje me shënimin dhe datave historike. Shoqata ka një përkrahje të fuqishme të historianëve shqiptarë, pavarësisht se ku ata jetojnë dhe krijojnë, por edhe nga pushtetet vendore të të dy Dibrave.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara