E bukur dhe e talentuar. Kjo është Dua Mahmudi, vajza gjashtë vjeçare nga Shkupi e cila vazhdimisht ftohet në garat më prestigjioze të kërcimit brenda dhe jashtë vendit. Çmimet e vitit të kaluar në Vjenë, i sollën Duas ftesën për të qenë pjesë e Konkursit Ndërkombëtar të Kërcimit (KNK) në Këln, Gjermani, në muajin janar. Dhe suksesi ishte jashtë çdo parashikimi. Dy performancat e saj të shkëlqyera, njëra kërcim bashkëkohor dhe tjetra klasik e spikatën mes konkurrenteve të tjera më të mëdha në moshë duke bërë që juria ta vlerësojë me dy çmime, të parë e të tretë dhe publiku ta duartrokasë gjatë. Ky është edicioni i tretë i KNK, ku morën pjesë 20 shkolla baleti nga dhjetë shtete dhe që u zhvillua nën kujdesin e drejtoreshës artistike Sabrina Bosco, ndërsa juria përbëhej nga artisët Robert Maytas, Carla Perotti dhe Tamara Gjurçinovska. Këto dy trofe në Këln, por edhe shumë çmime të tjera të marra prej gati tre vitesh në konkurse të ndryshme ndërkombëtare të kërcimit brenda dhe jashtë vendit i kanë dhwnw Duas “pasaportën” e suksesit dhe i kanë siguruar pjesëmarrje në shumë gara të tjera ndërkombëtare të rëndësishme pa qenë nevoja që të konkurrojë për t’u përzgjedhur. Që në moshën tre vjeçare Dua frekuenton studion e baletit “Balerina” në Shkup, në klasën e balerinës Maja Karevski dhe interpretimet e saj në skenë e kanë bërë që të dallohet për përkushtimin dhe mënyrën sesi ajo performon qoftë pjesë nga kërcimet moderne po ashtu edhe klasike. Më të veçantë e bën mosha, gjithnjë është në grup apo në garë me konkurrente që janë më të mëdha në moshë se ajo. Gjithashtu Dua është një nxënëse e talentuar në klasën e parë, ku matematika është një prej lëndëve të saj më të preferuara.