Nga Emin AZEMI
Hulumtimet e herë pas hershme të opinionit publik që janë bërë në Maqedoni, kanë nxjerrë në sipërfaqe disponime të ndryshme sa i përket orientimit të qytetarëve, duke mos fshehur euroskepticizmin si emërues i përbashkët i të gjitha refuzimeve e nismave që vijnë nga Brukseli e Uashingtoni. “Nëse nuk na duan në Bruksel, të hedhim sytë nga Lindja”, është ky lajtmotivi i një thirrjeje në kontinuitet i euroskepikëve maqedonas në Shkup, të cilët haptazi propagandojnë aleanca ekonomike e ushtarake me vendet e Azisë dhe Rusinë.
Këta eurospketikë të shtunën në Shkup kishin rezervuar një debat me dy analistë nga Rusia, të cilët kishin ardhur në Maqedoni për të dëshmuar prezencën ruse në këto hapësira. Rusia nuk do ta pengojë Maqedoninë që të hyjë në BE ose në NATO. Maqedonia dhe populli maqedonas duhet vetë të vendosin, por duhet të kenë zgjedhje, kanë porositur Aleksandar Dugin , këshilltari i parë i presidentit rus, Vlladimir Putin, që njihet njëri nga kreatorët e strategjisë gjithësllovene të Rusisë, në një panel me temën “Republika e Maqedonisë në aleancë strategjike me Rusinë dhe anëtarësimi në Unionin ekonomik Euroaziatik”. Sipas vëzhguesve të shumtë Drugin njihet edhe si kreator i strategjisë antiperëndimore të Rusisë.
Në këtë debat mori pjesë edhe Leonid Savin, këshilltar i dytë i Putinit, kurse organizator ishte partia “Të bashkuar për Maqedoni”, e Janko Baçevit , emri i së cilës vjen sipas modelit të partisë së Putinit “ Të Bashkuar për Rusinë”.
Me doza të theksuara rezerve se gjoja Perëndimi nuk është zgjidhje e mire për Maqedoninë, Dugin dhe Savin thanë se Maqedonia duhet të mendojë edhe për opsionin “Unioni ekonomik euroaziatik”. Maqedonia nuk duhet të mendojë për anëtarësim në BE, i cili po shkatërrohet, por për një farë aleance ballkanike dhe gjithsesi bashkëngjitjen “Unionit ekonomik euroaziatik”, porositën ata.
Leximi i keq i këtyre modeleve, krijon për opinionin publik iluzione të rrejshme për një aleancë pansllave, e cila në një të ardhme po rivendoska balancat e humbura në Ballkan dhe po rikthyeka drejtësinë e munguar në favor të popujve të dëmtuar, si maqedonasit, të cilët “nuk duhet të mendojë për anëtarësim në BE, i cili po shkatërrohet, por për një farë aleance ballkanike dhe gjithsesi bashkëngjitjen “Unionit ekonomik euroaziatik”.
Aleksandar Dugin dhe Leonid Savin, këta bedelë të pansllavizmit që kishin ardhur nga Moska për të përhapur frymën antieuropiane, nuk sollën as edhe një pike referuese të ndonjë historie suksesi nga Rusia, pos që sollën një qasje anakronike të tyre kundrejt zhvillimeve rajonale e europiane, ku Maqedonia gjithsesi ndodhet në orbitën e interesimeve e integrimeve euro-atlantike.
Në Maqedoni mund të ketë individë me sensibilitete të caktuara pro-ruse, por kjo është e pamjaftueshme për pritshmëritë e ndonjë kthese që mund të ndodhë këtu, sidomos në favor të tezave që i japin kosës në Lindje, ku Maqedonia përpos ndonjë simptome gripi, nuk mund të merr kurrfarë modeli bë ekonomi, siguri, bashkëpunim rajonal etj.
Strategët e Putinit do të kenë mundur ta lexojnë në mes rreshtave situatën poroze që mbretëron aktualisht pas përpjekjeve për tejkalimin e kontestit me Greqinë, por në asnjë mënyrë, as në të kaluarën, as në të ardhmen, nuk ka ndodhur që Rusia të ketë ndonjë qasje të sinqertë për ta ndihmuar Maqedoninë në zgjidhjen e kontestit me Greqinë.
Përpjekjet e Brukselit e Uashingtonit për të vendosur normalitet në klimën e përgjithshme politike në Ballkan, nuk kanë alternativë tjetër dhe të gjithë ata bedelë rus që mundohen të mbulojnë ndonjë boshllëk të politikave europiane në rajon, në fakt japin argument se po duan të mbulojnë diellin me shoshë. (koha.mk)