Shkup, 23 janar – Furnizimi i dy automjeteve të reja të specializuara për transportin e personave me invaliditet më të rëndë është një prej pikave për të cilën do të debatojë Këshilli i Qytetit të Shkupit në seancën e sotme të 26-të.
Me këtë vendim është paraparë furnizimi i dy automjeteve motorike të aftësuara për transportimin e personave me invaliditet më të rëndë me kubikazh në motor 1600 – 2200 cm3 HDI.
“Këto automjete do të bashkohen në sistemin e shërbimit për këta persona të cilin Qyteti i Shkupit dhe NQP “Shkup” e ofrojnë gjatë nëntë viteve të kaluara, ku për personat me invaliditet më të rëndë mundësohet transport i organizuar me automjete të adaptuara për nevoja të ndryshme, si për marrjen e shërbimeve shëndetësore, transportin deri në shkollë, vendin e punës dhe ngjashëm”, kumtoi Qyteti i Shkupit.
Në seancën e sotme Këshilli do të debatojë edhe për miratimin e mjeteve financiare për furnizimin e makinave elektrike për pastrim, me të cilën duhet të furnizohen 12 makina elektrike për grumbullimin vakumor të mbeturinave në vlerë prej 19.500.000 denarë. Furnizimi i këtyre makinave do të kontribuojë për përmirësimin e kushteve të punës së ndërmarrjes publike dhe për përmirësimin e gjendjes me higjienën në qytet.
Këshilltarët do të diskutojnë edhe për më shumë pika nga sfera e buxhetit të Qytetit të Shkupit, ndryshime dhe plotësime të rregulloreve për punë të Qytetit të Shkupit, një numër të madh të planeve urbanistike, do të shqyrtohen programe investuese në ndërmarrjet publike të qytetit për vitin 2019, për përcaktimin e vlerës së lartësisë së pikës tek administrata e qytetit dhe të punësuarit në ndërmarrjet publike të qytetit ndërsa do të diskutohet edhe për programet e punës së Qytetit të Shkupit për vitin 2019.