Një shpikje që u lejon shurdhmemecëve të komunikojnë edhe me ata që nuk njohin gjuhën e shenjave. Kjo është ideja e dy adoleshentëve në ‘Isis Façhinetti të Castellanza (Varese), në Itali, lëshuar për një projekt edukimi digjital të Microsoftit. Mateo Ibro dhe Antonio Falsetti, 16 dhe 17 vjeç, kanë krijuar ‘ad hoc’, një dorashkë me sensorë, të cilat janë të lidhura me një aplikacion në smartfon, të cilat mund të përkthejnë gjuhën e shenjave, dhe t’u japin zë.
Aplikacioni transformon në tinguj sinjalet e lëshuara nga sensorët: për çdo shenjë, ekziston fjala adekuate. “Na u kërkua të sillnim ide për të ardhmen. Kështu, ne menduam për njerëzit me aftësi të kufizuara, sidomos për ata që nuk dëgjojnë”, shpjegon për “Varese NewS”, Falsetti, një nga nxënësit.
“E dimë që janë në gjendje të lexojnë lëvizjen e buzëve, por kanë vështirësi të krijojnë marrëdhënie me të tjerët dhe të hyjnë në punë, sepse nuk arrijnë dot të komunikojnë. Kemi përdorur sensorë të përkulshëm, të cilët montohen në unaza që futen në gishta. Këto unaza janë të lidhura me një skedë “Arduino”, një platformë e ideuar për prototipa. Para ‘Good morning’ (që është emri i shpikjes), nuk e kishim përdorur një skedë të tillë”, shpjegon nxënësi, “por mjaftuan dy muaj për ta mësuar”. Projekti, realizuar nga dy të rinjtë e vitit të tretë, u prezantua në Politeknikumin e Milanos për Microsoft.