DW: Ballkani Perëndimor në pritje

Analiza e Dojçe Veles për samitin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor në Poloni sugjeron se Brukseli edhe më tej merret me veten dhe askush nuk mendon për zgjerim të shpejtë. Lojtarët e rinj politikë në Bruksel mendojnë se premtimet e vjetra ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë nuk janë të obligueshme.

Bashkimi Evropian ballafaqohet me rishqyrtim të kohezionit të brendshëm dhe të marrëdhënies ndaj Ballkanit perëndimor, gjithnjë e më shumë vende i prolongojnë premtimet e dhëna, ndërsa lojtarët e rinj politikë në Bruksel mendojnë se premtimet e vjetra nuk janë të obligueshme. Është koha për strategji të re të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, e cila do të mund të plotësohet dhe e cila njerëzve në Ballkanin Perëndimor do t’u jep perspektiva konkrete, shkruan autorja Adejhajd Fajlke, duke iu referuar procesit të Berlinit, në kuadër të të cilit u mbajt Samiti në Poznan.

“Maqedonia e Veriut me ndryshimin e emrit dhe pajtimin historik me Greqinë, si Shqipëria e cila e nisi procesin e dhimbshëm të vetingu, kontrolli i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, morën shumë lëvdata, por anëtarët e Bashkimit Evropian nuk i mbajnë premtimet e tyre të dhëna në vitin 2018 dhe sërish e prolongojnë fillimin e negociatave për anëtarësim” –interpreton Klan Macedoni shkrimin e Dojçe Veles.

Edhe pse Mali i Zi dhe Serbia janë në proces negociatash që disa vite, për Bosnjë-Hercegovinën dhe për Kosovën as që mund të mendohet për fillim të negociatave, ndërsa është pothuajse e pamundur që shefi i ri i diplomacisë së BE-së, Zhosep Borel, vendi i të cilit – Spanja nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, do të lëvizë në drejtim të lehtësimit të regjimit të vizave, i cili vlen akoma për qytetarët e Kosovës.

“Presidenti polak Duda e shpehu hapur dëshpërimin e tij nga pavendosmëria e partnerëve të tij evropianë që vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u ofrojnë më shumë afërsi drejt BE-së. Merkel e mori situatën me shumë qetësi, ndërsa Makron as që u paraqit.” shkruan Dojçe Vele në analizën e saj.

Për këtë arsye, të jemi të sinqertë: në qoftë se hapi i madh drejt anëtarësimit në BE në të ardhmen e afërt nuk është i zbatueshëm, ekzistojnë shumë hapa të vegjël që mund të bëhen për normalizimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore, të cilat kryesisht janë të lidhura me reformat për sundimin e së drejtës. Procesi i Berlinit i nisur nga kancelarja Merkel në vitin 2014 me shumë gjasë është instrumenti më real për Ballkanin Perëndimor, në krizën momentale të BE-së, thuhet në analizën e Dojçe Veles me titull “Ballkani Perëndimor në radhë pritjeje”