Mbrojtësi i krahut të majtë, Riza Durmishi do të mungojë për tri javë shkaku i lëndimit, ka njoftuar të martën skuadra e Real Betisit. 23-vjeçari ka lënduar muskulin e këmbës së djathtë në ndeshjen ndaj Valencias, të cilën Betisi e humbi 6:3 në shtëpi të dielën e shkuar. “Pas kontrollimeve të bëra është konstatuar se Durmishi duhet të pauzojë për tri javë”, thuhet në njoftimin e ekipit spanjoll. Durmishi këtë edicion ka qenë titullar te Betisi, duke regjistruar shtatë paraqitje në tetë xhirot e para. Ai te Betisi u transferua para fillimit të edicionit të shkuar nga skuadra e Brondbyt për dy milionë euro. Durmishi që është reprezentues i Danimarkës, ka kontratë me ekipin spanjoll deri në vitin 2021.