Sezoni 2016-2017 i NBA-së u mbyll ashtu siç ishte parashikuar, me një triumf të skuadrës së Golden State, që u hakmorr ndaj Cleveland Cavaliers dhe pas finales së pestë të play off-it ngriti trofeun. Njeriu që bëri të mundur që ky titull të rikthehej në Golden State ishte padyshim Kevin Durant, arma më shumë e Warriors ndaj Cavaliers, duke u zgjedhur edhe MVP i finaleve. “Jam shumë i lumtur që ia dola mbanë, që jam pjesë e historisë dhe e këtij ekipi. Ia dedikoj këtë trofe nënës time, të cilës ia kisha premtuar se do të bëhesha kampion i NBA-së që në moshën 8-vjeçare. Tani mund të them se e mbajta premtimin”, deklaroi sot Kevin Durant.
Më tej, ylli i Golden State, i ardhur vjet nga Oklahoma, shprehet se ndihet në “qiellin e shtatë” pas këtij triumfi. “Ndihem në formë të shkëlqyer, por siç e kam thënë gjithnjë, ky është një sport ekipor dhe të gjithë kanë rëndësi në këtë triumf. Duhet të sakrifikohesh për skuadrën dhe të besosh te kolegët e tu. E dija që ky do të ishte momenti im dhe nuk hoqa dorë deri në fund për të marrë këtë titull”, u shpreh Kevin Durant, që ka marrë edhe përgëzimet e trajnerit të tij Steve Kerr. “Jam i lumtur për të, por edhe për të gjithë skuadrën. Por Kevin ka një histori të veçantë, ndaj jemi krenar për të”, tha Kerr.