Strasburg, 8 korrik – Komisionarja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç deklaroi sot se autoritetet serbe “kanë obligim të zbatojnë hetime efektive për të vendosur përgjegjësi dhe ndëshkuar ata që janë përgjegjës” për përdorimin e tepërt të forcës policore në protestat e mbrëmshme në Beograd.
“Shpërndarja e dhunshme e protestuesve nga policia serbe në Beograd, shkakton shqetësime serioze për të drejtat e njeriut. Dhuna policore ose përdorimi i tepërt i forcës asnjëherë nuk duhet të tolerohet, madje edhe kur operacionet që synojnë ruajtjen e rendit publik gjatë demonstratave janë veçanërisht komplekse dhe kur zyrtarët e policisë kryejnë detyrat e tyre në situatë shumë të tensionuar”, ka shkruar ajo në Fejsbuk.
Komisionarja e Këshillit të Evropës, rikujton se ky është “parim mirë i vendosur, që jepet në mënyrë të qartë në Udhëzimet për lirinë e tubimit paqësor nga viti 2019, të publikuar nga Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës dhe OSBE/ODIHR”.
“Autoritetet serbe kanë detyrim të zbatojnë hetime efektive për të vendosur përgjegjësi dhe ndëshkuar ata që janë përgjegjës, në përputhje me praktikën adekuate gjyqësore të Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut dhe Udhëzimet për eliminimin e pandëshkueshmërisë për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, të miratuara nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës në vitin 2011”, shkroi Mijatoviç.
Komisionerja, gjithashtu, theksoi se autoritetet duhet të sigurojnë që personat që pretendojnë se janë viktima të sjelljes së policisë, të paraqesin padi për dëmshpërblim.
Më shumë se 10.000 persona, mbrëmë u mblodhën para Kuvendit të Serbisë, pasi presidenti Aleksandar Vuçiq njoftoi rivendosjen e orës policore në Beograd, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Protestuesit u përpoqën të hynin në ndërtesën e Kuvendit, por u ndalën nga veprimi i tillë i policisë. Pas pak mbërritën përforcimet e policisë dhe pati përleshje të ashpra me turmën.