E ardhmja e pilotëve të Dukatit është në duart e tyre. Si Jorge Lorenzos ashtu dhe Andrea Doviziosos u skadon kontrata me motorin italian në fund të këtij sezoni, ndaj shefi i Dukati ka bërë me dije se gjithçka për sa i përket të ardhmes së pilotëve do të varet nga vetë ata. Duke nisur nga spanjolli Lorenzo, që përfiton mbi 10 milionë euro për sezon, por vjet zhgënjeu me paraqitjen e tij, duke mos fituar asnjë garë. Ndërsa, Dovizioso dueloi deri në fund për titullin.
“Nuk mendoj se do t’i japim të njëjtën rrogë Lorenzos si kur erdhi në ekip në rast se nuk fiton”, tha Paolo Ciabatti, shefi i Dukatit. “Ne bëmë një sforco të madhe për ta marrë një vit më parë, por ai ishte një moment i veçantë si për ne ashtu dhe për pilotin. Kur e morëm, ai kishte një ofertë të mirë edhe nga Jamaha për dy vite të tjera dhe ishte kampion bote në fuqi. Ndaj, nëse nuk fiton dhe dulon për kreun, situata do të jetë ndryshe për të”, tha Ciabatti, që në lidhje me situatën e Andrea Dovizioso, shtoi: “Kur rinovuam me Andrea, në mesin e vitit 2016, nuk kishte fituar asnjë garë, ndërsa vjet fitoi disa gara dhe dueloi për titull. Do të dimë se si t’ia shpërblejmë”, tha shefi i motori italian DuKati, në Moto GP.