Dibër, 28 mars – Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, i cili udhëheq me shtabin operativ komunal, kërkoi që testet të cilat dërgohen nga Dibra në Shkup për analizë të kryhen sa është e mundur më shpejt, me prioritet, sepse Komuna e Dibrës dhe Qendër Zhupa ende janë rajone të cilat trajtohen si rajone të krizës, raporton Koha.mk
Ai gjithashtu bëri apel për realizim të shpejtë të kërkesave të dorëzuara deri te Qeveria dhe Ministria. “Kërkojmë që kompetentët të jenë më të shpejtë në përmbushjen e kërkesës sonë për dërgimin e një gjinekologu, një anesteziologu – reanimator dhe kuadër të shkollës së mesme, si dhe aparate mjekësore që i kemi kërkuar. Konsiderojmë se këto kërkesa tona janë minimale dhe mund të realizohen, sepse Dibra është rajon i krizës ndërsa kjo kërkon realizim urgjent të nevojave tona” thekso Duka. Gjendjen e krizës e vlerësoi si të mirë duke shtuar se nuk janë regjistruar shkelje gjatë orës policore. (koha.mk)