Armand Duka konfirmohet në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit, edhe për 4 vitet e ardhshme, duke fituar për herë të 5-të besimin e Asamblesë së Përgjithshme të këtij institucioni. Kreu aktual i Federatës SHqiptare të Futbollit arriti të marrë më shumë vota që në raundin e parë, por jo aq sa duhej për të fituar direkt. Në balotazh, Duka mori 35 vota, kundrejt 24 të rivalit të tij, Bashkim Fino, ndërsa 3 vota ishin të pavlefshme. Në këto zgjedhje, krahas Dukës kandiduan edhe Bashkim Fino e Shpëtim Hala, me këtë të fundit që u skualifikua që në raundin e parë, pasi nuk mori asnjë votë. Kjo ishte një nga betejat më interesante për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, që kulmoi me debatin “live” të Dukës dhe Finos, në një studio televizive, ndërsa nuk munguan as akuzat e kundër-akuzat, por edhe tonet e larta.
Në fjalimin e tij, pas shpalljes së rezultatit, Duka u shpreh: “Jam i lumtur dhe emocionuar, jo për faktin se do jem presidenti, por për besueshmërinë dhe ndjej obligimin e madh se nga sot fillon një gjë akoma më e vështirë për mua. Asambleja u zhvillua brenda standardeve, dëshmon se ne jemi një organizatë me standarde të lartë brenda shoqërisë, ju garantoj të gjithëve se ato që janë diskutuar në këto muaj para zgjedhor do të jenë pjese e diskutimit, do ti korrigjojmë dhe do bëjmë më të mirën. Falënderoj shumë kandidatët, të ftuarit. Ju premtoj se përkushtimi im do të jetë akoma më i madh, më ka dhënë shumë mësime kjo asamble”, deklaroi Duka.
Derisa, Fino pohon se e kundërshton procesin si të parregullt dhe për këtë ka të drejtë ta kontestojë në instancat përkatëse. “E prisja këtë, nuk jam i zhgënjyer”- tha Fino, për mediat, duke deklaruar se ai e kundërshton procesin si të parregullt dhe për këtë ka të drejtë ta kontestojë atë në instancat përkatëse. Sipas tij, “vendosja e delegatëve nga ana e Federatës pengoi për diferencën dhe që Duka fitoi sot. Nëse ke një listë të pandershme përpara dhe nuk mund të thyesh rezultatin”- tha ai. Ai ka deklaruar se do te vazhdoje betejën ligjore.
Cekim, në raundin e parë Duka fitoi 39 vota kurse Fino 22 vota, ndërsa ishte e nevojshme zhvillimi i raundi të dytë, pasi asnjë nga kandidatët nuk arriti të sigurojë, 2/3 e votave. Gjithashtu, në këtë ansamble, është miratuar edhe buxheti për vitin 2018, ku kishte vetëm një votë kundër. Miratohet kompania “Deloitte Albania” për menaxhimin e financave. Pos delegatëve, në ansamble ishte prezent edhe zv.presidenti i UEFA, Grigor Surkis