Dibër, 24 prill – Kryetari i ri i Dibrës, Hekuran Duka, përmes profilit në Fejsbuk u ka shprehur falënderim banorëve të Komunës së Dibrës, para së gjithash për nivelin e lartë të treguar të demokracisë dhe kulturës qytetare, njofton Koha.
“Treguam nivel të lartë të demokracisë dhe kulturës qytetare. Duke u falënderuar të gjithëve për kontributin në këtë fitore, dua të theksoj se ajo që është më e rëndësishme është se bëmë një fushatë të qetë, dinjitoze sepse dibranët janë njerëz të mirë, të urtë dhe të kulturuar. Këto zgjedhje do të mbahen mend në historinë e demokracisë në vend”, shkruan Duka, në profilin e tij në Fejsbuk në gjuhën shqipe dhe maqedonase.
Ai u shprehu falënderim edhe atyre të cilët votuan dhe ata që nuk e kanë dhënë votën e tyre për të.
“I falënderoj të gjithë ata që më votuan, por edhe ata që nuk më votuan. Unë do të jem kryetari të gjithë dibranëve, pa dallim të përkatësisë partiake, kombëtare dhe fetare. Premtimet, me Zotin përpara do t’i realizojmë së bashku me ju”, thekson Duka.
Falënderim të veçantë ai u shpreh edhe kryeministrit Zoran Zaev, kryeministrin Bujar Osmani, ministrave Kreshnik Bekteshit dhe Oliver Spasovskit dhe të gjithëve nga pushteti qendror të cilët i dhanë mbështetje për realizimin e programit të tij zgjedhor.
I dëshiroj, shtoi, fat dhe sukses të njëjtë Stevo Pendarovskit “që të jetë presidenti i ynë koncensual i RMS”.
Duka ishte zgjedhur në zgjedhjet lokale të parakohshme të së dielës që u zbatuan në Dibër për shkak të vdekjes së Ruzhdi Latës, nga fundi i nëntorit të vitit të kaluar. Deri në zgjedhjet, Duka (56), i cili është urolog i njohur dibran, ishte kryerës i detyrës së kryetarit. (koha.mk)