Në një intervistë të dhënë për “Top Channel”, kreu i FSHF-së, Armand Duka ka folur për çështjet më të nxehta të aktualitetit futbollistik në Shqipëri. Duka komentoi vendimin e Gjykatës së Tiranës kthyer pas dosjen e njohjes së Asamblesë së FSHF-së, duke thënë se kjo u bë me qëllim plotësimin e dokumentacionit, por që nuk ka asnjë rrezik të mëtejshëm. “Na kanë kërkuar disa dokumente shtesë, që ne po i bëjmë gati. Nuk ka asgjë kaq të madhe sa është bërë, e sigurisht nuk do të ketë asnjë ndryshim. UEFA dhe FIFA kanë pasur një vlerësim maksimal për këto zgjedhje, menjëherë pas përfundimit të tyre. Madje, edhe bashkëpunimi i tyre vazhdon. Brenda këtij viti do të vijë në Tiranë edhe presidenti i FIFA-s, Xhanni Infantino për të parë projektet tona”, u shpreh Duka. Ndryshe, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit foli edhe për situatën e krijuar te Skënderbeu, teksa pranoi për herë të parë se pezullimi i UEFA-s nuk do të shoqërohet me masa në kampionatin shqiptar, pasi sipas tij, FSHF-ja i ka dënuar njëherë korçarët. “Më vjen keq. Ky është një lajm i rëndë për klubin dhe vet futbollin vendas. Nëse këto janë të faktuara, atëherë drejtësia të bëjë punën e saj, ndërkohë që nëse jo, klubi duhet të gjejë rrugën për t’u mbrojtur. Ne e kemi marrë njëherë vendimin për ta dënuar Skënderbeun. Vendimi i UEFA-s nuk na detyron neve që ta dënojmë sërish”, shtoi më tej kreu i FSHF-së. Në përfundim të intervistës, Duka nuk lë pa prekur edhe problematikën e Kombëtares së Shqipërisë, ku mungojnë lojtarët dhe aktivizimi i tyre nëpër klube është minimal. “Më vjen keq, por ky është një moment shumë i vështirë për futbollin tonë. Unë mendoj se, më mirë të luajnë lojtarët që aktivizohen, edhe pse luajnë në kategori më të ulëta, sesa lojtarët që luajnë në kampionate të mëdha, por nuk aktivizohen”, përfundoi Armando Duka, kreu i FSHF-së.