Omer XHAFERI
Shkup, 29 gusht – Faza e dytë e regjistrimit të kandidatëve në Akademinë Ushtarake “Mihajllo Apostolloski” është drejtë përfundimit. Në faqen zyrtare të kësaj akademie thuhet se më 30 gusht (të mërkurën) do të realizohet provimi për kontrollin fizik të kandidatëve, shkruan gazeta KOHA. Numri i kandidatëve të cilët do t’i nënshtrohen këtij provimit është 28, në mesin e të cilëve gjenden edhe 6 shqiptar. Paraprakisht, kandidatët e paraqitur në afatin e dytë të regjistrimit i janë nënshtruar një sërë provimesh pranuese, duke filluar nga gjuha angleze, matematika, pastaj kontrollet psikofizike dhe tash së fundmi pritet të realizohet edhe testimi i gjendjes fizike të kandidatëve. Nga gjithsej 60 kandidatë, të cilët kishin konkurruar në fillim të afatit të dytë të regjistrimit, aktualisht kanë mbetur 28 kandidatë, prej të cilëve 6 janë shqiptar. Zyrtar të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, pasi i vërtetuan parregullsitë në pjesën e parë të konkursit, disa herë radhazi kanë konfirmuar se parimi i drejtë i përfaqësimit të shqiptarëve në këtë konkurs do të respektohet deri në fund. Sipas të dhënave të deritanishme, për vitin akademik 2017/18 në Akademinë Ushtarake është pranuar vetëm një shqiptar, ndërkohë për t’u respektuar parimi i 25 përqindëshit, nevojitet pranimi edhe i minimum i 3 kandidatëve shqiptar, nga grupi i 28 personave të cilët në fund javë do ta realizojnë kontrollin e gjendjes fizike. Akademia e Ushtarake për çdo vit konkursin e saj e shpallë për tre grupe, respektivisht pilotët, kadetët dhe stafi mjekësor. Mirëpo, kësaj radhe afati i dytë i regjistrimi u hap për 10 vendet e lira të kadetëve, të cilët më herët u konstatuan se në mënyrë të parregullt u refuzuan. Ndryshe, Vendimi i Ministrisë së Mbrojtjes për të shpallur afat të dytë të regjistrimit për pranimin e kadetëve në Akademinë Ushtarake vjen pas denoncimit të gazetës KOHA për diskriminim të kandidatëve në procedurën e selektimit. Duke i sqaruar masat e ndërmarra pas vërtetimit të shkeljeve dhe parregullsive në afatin e parë të regjistrimit, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se në datat 13 dhe 17 korrik, Inspektorati shtetëror i arsimit ka realizuar inspektim të jashtëzakonshëm në dokumentacionin e kandidatëve të cilët kanë konkurruar në afatin e parë të regjistrimit (prej 4 deri 31 maj). Me këtë rast, ky Inspektorat kishte konstatuar se vetëm 13 kandidatë kanë dorëzuar dokumentacion të kompletuar, i cili ka qenë në përputhje me kushtet e përgjithshme dhe ato të posaçme të parashtruara në konkurs. Për këto shkaqe, siç njoftuan nga Ministria e Mbrojtjes, vetëm pesë kandidatë i kanë plotësuar kushtet e parapara, me çka të njëjtit janë pranuar si studentë-kadetë në ciklin parë të studimeve pranë Akademisë Ushtarake. Mes tjerash, drejtuesit e Akademisë Ushtarake për gazetën KOHA kanë theksuar se i gjithë ky proces pritet të përfundojë deri më 3 shtator, me qëllim që kandidatët të cilët nuk do të arrin t’i kalojnë me sukses provimet pranuese të kenë mundësi të konkurrimit në afatin e tretë të regjistrimit në ndonjërën prej universiteteve shtetërore në vend. (koha.mk)