Të rinjtë, përveç se janë promotor ekonomik të vendit, ata gjithsesi se duhet të jenë edhe promotorë të inovacioneve dhe risive bashkëkohore, për të qenë konkurrent dhe për të dhënë shërbime më cilësore shëndetësore
Delvina KËRLUKU
Shkup, 14 prill – Pavarësisht se të rinjtë përbëjnë gjysmën e popullsisë në vendin, pjesëmarrja e tyre në vendim-marrje mbetet në nivele shumë të ulta. Kështu ndodh edhe në përfshirjen e tyre në hartimin e politikave në sektorin e shëndetësisë. Sipas Dr. Liridon Dishës mjek familjar, mjekët e rinj gjithsesi se duhet të jenë të përfshirë në proceset vendimmarrëse dhe politik bërësve në kujdesin shëndetësor, shkruan gazeta KOHA.
“Ata duhet të përfshihen aktivisht në hartimin e planeve afatgjate që qeveria harton për përmirësimin e sistemit shëndetësor në vend. Kjo për arsye se janë po ata mjekë të rinj që do ta trashëgojnë punën e mjekëve në moshë. Kjo nuk nënkupton nxjerrjen e mjekëve në moshë nga ky proces, por aktivizimi i mjekëve të rinj në këtë drejtim duhet të vijë si nevojë e kohës dhe si ndihmesë shtesë. Të rinjtë, përveç se janë promotor ekonomik të vendit, ata gjithsesi se duhet të jenë edhe promotorë të inovacioneve dhe risive bashkëkohore, për të qenë konkurrent dhe për të dhënë shërbime më cilësore shëndetësore. Gjithsesi se këtij procesi duhet t’i paraprijë një bashkëpunim i ndërsjellë mes mjekëve me përvojë dhe atyre të rinj. Fundja, përvoja që kanë fituar mjekët në moshë është një bazament ku mund të ngrihen idetë inovative të gjeneratës së re të mjekëve”, tha, për gazetën Koha, dr. Liridon Disha, udhëheqës i Organizatës Private Shëndetësore ASCLEPIUS – Tetovë. Sipas tij, problem serioz dhe kompleks është mosbashkëpunimi mes gjeneratave në sektorin e shëndetësisë.
“Kjo mënyrë e funksionimit duhet të ndryshojë njëherë e përgjithmonë përmes politikave më relaksuese dhe më gjithëpërfshirëse, të cilat duhet ti aplikojë qeveria. Me ketë nënkuptoj përfshirjen e sa më shumë mjekëve të rinj në vendimmarrje përmes dëgjimit të zërit të arsyes dhe nevojës për progres përmes përparimit teknologjik dhe atij profesional”, tha dr. Disha.
Nga ana tjetër, Shoqata e Mjekëve Specializantë thonë se çështjet e të rinjve jo gjithmonë marrin vëmendjen që meritojnë nga strukturat vendimmarrëse e politikëbërëse, në sistemin shëndetësor dhe ky përbën një fakt mjaft shqetësues. Një aspekt tjetër, organizimi i vetë të rinjve për kauzën e tyre ka qenë i vakët, por viteve të fundit ka pasur bashkëpunime si për shkëmbimin e informacionit, ashtu edhe për koordinimin e aksionit në lidhje me çështjet e mjekëve të rinj.
“Ne si Shoqatë e mjekëve specializant (SHMS), duke ditur që përfaqësojmë një grupacion të madh të mjekëve të rinj të cilët janë duke specializuar, gjatë gjithë funksionimit tonë kemi bërë përpjekje për ti informuar dhe alarmuar organet përkatëse për të gjitha problematikat që na përkasin, të cilat janë shumë dhe sigurisht duke e bërë atë me propozime konkrete, së fundmi gjatë përpilimit të Ligjit të ri për mbrojtje shëndetësore ku pjesë e madhe e propozimeve tona u morën parasysh, duke e përmirësuar gabimin që u bë më herët duke na anashkaluar dhe duke përpiluar ndoshta ligjin më të keq për mbrojtje shëndetësore deri tani për ne”, tha, për gazetën Koha, dr.Shkelqim Muharremi, anëtar i bordit drejtues të Shoqatës së mjekëve specializant. SHMS ishte bartës i një procesi historik kur për herë të parë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, mundësuam që specializantët privat të paguhen. Sipas tij, ka një frymë për një bashkëpunim më të intensifikuar së bashku me dekanin e fakultetit të mjekësisë, për përmirësimin e kualitetit te edukimit, një element shumë i rëndësishëm, i cili po ashtu është anashkaluar. (koha.mk)