Fermerët e duhanit ankohen se në terren po iu nënvlerësohet puna dhe mundi i tyre dhe shprehen të pakënaqur për shkak se cilësia po lëviz për një klasë më poshtë. Klasi i parë i duhanit, sipas tyre, tani është klasi i dytë, ndërsa klasi i dytë tani është klasi i tretë. Për të gjitha këto padrejtësi, deri më tani bujqit nuk kanë parashtruar ankesa zyrtare
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 15 shkurt – Kultivuesit e duhanit nga Dollneni, Crnilishta dhe Debreshi janë ankuar edhe publikisht për grumbullimin e duhanit sipas cilësisë duke u shprehur se ai ju blihet nën çmimin real .Në ndërkohë, nga Ministria e Bujqësisë thonë se sivjet së bashku me subvencionet pritet që kultivuesit e duhanit të fitojnë 300 denarë në mesatare për një kilogram të dorëzuar në qendrat grumbulluese. Nga ky dikaster kanë shtuar se me modelin e ri për rritje të subvencioneve janë vendosur masa mbështetëse prej 60, 70 dhe 80 denarë shtesë për klasin e parë të dytë dhe tretë të duhanit për të motivuar prodhimtarinë e duhanit më cilësor. Nga ana tjetër, fermerët e rrethinës së Prilepit që janë edhe kultivuesit kryesor të duhanit në vend ankohen se në terren po ju nënvlerësohet puna dhe mundi i tyre.
“Grumbulluesit po e plotësojnë sasinë e nevojshme në kilogram dhe thonë merre dhe ktheje duhanin. Njëherësh klasi i parë i duhanit tani është klasi i dytë, ndërsa klasi i dytë tani është klasi i tretë”, thotë Riza Ismailovski nga fshati Debresh. Në ndërkohë, edhe prodhuesit e tjerë të duhanit të kësaj ane ankohen për telashe dhe probleme me shitblerjen e duhaint. “Tek ne askush nuk është i kënaqur si po shkon grumbullimi për shkak se cilësia po lëviz për një klasë më poshtë. Nëse në vitin e kaluar e kanë grumbulluar bile edhe duhanin me cilësi shumë të dobët, tani edhe po përkufizohet shitblerja e tij”, thotë prodhuesi tjetër Xheladin Ajdarovski.
Nga Ministria e Bujqësisë presin që çdo kilogram i mbetur të grumbullohet deri më 29 shkurt kur edhe skadon afati i përcaktuar ligjor. “Deri tani asnjë bujk nuk ka parashtruar ankesë deri tek Komisioni i shkallës së dytë lidhur me problemet për grumbullimin e duhanit, ndërsa sivjet do të arrijmë një çmim rekord prej 220.6 denarë për kilogram dhe deri ditën e mërkurë janë grumbulluar 97 për qind e duhanit , ndërsa çmimet grumbulluese po kontraktohen në teren së bashku edhe me vlerësuesit”, thotë ministri i Bujqësisë, Trajan Dimkovski. Sipas tij, edhe Inspektorati shtetëror për bujqësi po realizon kontrolle të përforcuara në terren, ndërsa nëse konstatohen parregullsi gjatë grumbullimit atëherë do të vijojnë dënime për kompanitë e duhanit.
Nga Inspektorati bujqësor thonë se deri tani kanë realizuar mbi 360 mbikëqyrje inspektuese për duhanin e vitit 2020, ndërsa shtojnë se po bëjnë përpjekje që të grumbullohet edhe duhani për të cilin nuk ka marrëveshje shitblerëse. “Inspektorët tanë janë vazhdimisht në terren dhe po bisedohet me grumbulluesit që qendrat e tyre të jenë të hapura sa më gjatë, si dhe të mundësohet të ketë edhe qendra kujdestare edhe kur nuk ka prurje të duhanit. Njëherësh inspektorati po shqyrton dhe po punon në bazë të mostrave a punon punkti sipas procedurave , sa janë peshoret të rregullta peshoret, ndërsa inspektorët nuk mund të vendosin për çmimin dhe klasat e ndryshme të duhanit”, thotë drejtori i inspektoratit, Zoran Shapuriq. Ndryshe , sivjet pritet të grumbullohen së paku 26.500 tonë të duhanit që edhe janë kontraktuar paraprakisht për shitblerje me kompanitë e duhanit. (koha.mk)