Fisnik PASHOLLI
Shkup, 20 shkurt – Kultura e duhanit përkundër mundit të madh për ta prodhuar, luhatjes kohë pas kohe të çmimit grumbullues dhe vonesës së subvencioneve, megjithatë perceptohet si “floriri” i Maqedonisë, shkruan gazeta KOHA.
Këtë e dëshmojnë edhe shifrat prej 14.500 hektarë të mbjella dhe më shumë se 23 mijë tonë duhan të grumbulluar në vitin 2017 për 217 denarë kilogrami. Ky çmim është për 21 denarë më i lartë se vitin paraprak kur duhani është grumbulluar për 196 denarë. Deri në fund të muajit janar janë grumbulluara më shumë se 23 mijë tonë .
Gjithashtu sivjet do të rriten edhe subvencionet në favor të cilësisë më të madhe të prodhimtarisë së duhanit. Për rendimentet e vitit 2017 ishte planifikuar që të fitohen nga 60 denarë për kilogram për të gjitha klasat. Me ndryshimet e Ligjit për duhan pritet që të fitohen 80 denarë për klasën e parë, 70 për të dytën , ndërsa për klasën e tretë dhe të tjerat do të mbetet subvencioni prej 60 denarë për kilogram. Mbreti i kulturave bujqësore me mbi 28 milionë euro subvencione për prodhuesit e duhanit, afër 80 milionë euro fitim nga duhani siguron ekzistencë për mbi 23 mijë familje në Maqedoni apo mbi 100 mijë banorë, dëshmohet si një ndër kulturat më rentabile në Maqedoni .Në të kaluarën në rendimentet e duhanit në Maqedoni kanë lëvizur prej 17 mijë tonë në vitin 2008 deri më 32 mijë tonë duhan në vitin 2013. Në vitet e fundit, prodhimi lëviz ndërmjet 24 mijë tonë në vitin 2015 , 25 mijë tonë në vitin 2016 dhe 27 mijë tonë të prodhuara në vitin 2014 .
Prodhimi i duhanit në vitet e kaluara luhatet si në aspektin e nivelit të prodhimtarisë, cilësisë më të vogël apo më të madhe të klasave të ndryshme të duhanit, por edhe të çmimeve grumbulluese që i diktojnë kompanitë e ndryshme që janë të varura nga trendet globale të çmimeve të duhanit. Megjithatë në vitet e fundit çmimet solide , plasmani i sigurt si dhe subvencionet e larta përkundër vonesës së tyre sërish e orientojnë bujkun në vend ndaj vazhdimit të traditës dhe sigurimit të ekzistencës .
Sipas të dhënave për vitin 2011, hapësirat më të mëdha nën duhan me 2911 hektarë gjenden në komunën e Dollnenit, pason Radovishi me 2400 hektarë, Prilepi me afër 2200 hektarë dhe komunat e tjera me nga afër 1000 hektarë.
Prodhuesit e duhanit thonë se në përgjithësi janë të kënaqur me rendimentet e vitit të kaluar dhe me pagesën e mundit të tyre , por shtojnë se duhet të rritet çmimi sipas klasës së duhanit.
“Më shumë se 40 vite merrem me prodhimtarinë e duhanit, ndërsa tani planifikoj që të mbjell 22 dekarë dhe të fitojë së paku pesë tonë duhan që paraqet ekzistencë për familjen time , por kërkon edhe një punë të madhe dhe të lodhshme. Vjet fitova 3.5 tonë duhan me çmim prej 240 denarë. Në të ardhmen një rëndësi të madhe ka të rriten çmimet sipas klasave dhe atë më së shumti për klasën e tretë që duhet të jetë së paku 200 denarë” thotë Najdo Nedanovski nga Prilepi.
Në ndërkohë, parashikohet të stimulohen fermerët të merren me kultivimin e duhanit sa më cilësor me rritjen e subvencioneve . Kultivuesit e duhanit për prodhimin e vitit të kaluar dhe në të ardhmen do të fitojnë 80 denarë për klasën e parë, 70 denarë për të dytën, dhe 60 denarë subvencione për klasën e tretë dhe të tjerat për kilogram të duhanit. Premtohet edhe lehtësimi i procedurave administrative për shitblerjen e duhanit ndërmjet prodhuesve dhe grumbulluesve.
“Në këtë mënyrë do të motivojmë kultivuesit e duhanit, jo vetëm të rrisin prodhimtarinë , por edhe të orientohen ndaj prodhimtarisë së duhanit më cilësor që të fitojnë më shumë subvencione. Përkrahja për prodhuesit e duhanit krahas rritjes së subvencioneve parashikon edhe lehtësimin e procedurës ku me ndryshimet e Ligjit për duhan do të anulohen fletat evidentuese, ndërsa fermerët në mënyrë të drejtpërdrejt do të nënshkruajnë marrëveshje me kompanitë grumbulluese”, thotë ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski.
Sipas tij, do të paguhen mbi 28 milion euro si subvencione për prodhuesit e duhanit,ndërsa në bazë të çmimeve grumbulluese sipas klasave të ndryshme do të paguhen mbi 80 milion euro që do të thotë se me rekoltën e vitit 2017, mbi 23 mijë familjeve ju sigurohen të ardhura prej mbi 100 milion euro.
Nga Lidhja e Shoqatave të duhanit në Prilep kanë falënderuar qeverinë për rritjen e subvencioneve për prodhimin e duhanit. Sipas analizave të tyre , rreth 9 milion kilogram duhan janë grumbulluar në klasën e parë, 13 milionë në të dytën, 1.2 milion në të tretë dhe sasi më të vogla janë grumbulluar në klasën e katërt. Ata kërkojnë që në të ardhmen të ketë rritje të çmimeve grumbulluese për 30 denarë për kilogram për çdo klasë dhe të ketë edhe përafrim të çmimeve në grumbullimin e klasave të ndryshme të duhanit. (koha.mk)