Një pjesë e prodhuesve të duhanit, shprehin pakënaqësinë e tyre me çmimet prej 120 deri 150 denarë për një kilogram duhan, në vend se 180 denarë. Përfaqësues tjerë shprehen se me protesta nuk do të zgjidhen problemet
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 8 janar- Një pjesë e prodhuesve të duhanit kanë protestuar të martën të pakënaqur me çmimet e ulëta grumbulluese. Ato kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me çmimet prej 120 deri 150 denarë për një kilogram duhan, në vend se 180 denarë siç ishin marrë veshë paraprakisht me autoritetet shtetërore. Protestuesit janë ankuar se po ju blihen duhani nga klasat më të ulëta.“ Kemi dinamikë të dobët të grumbullimit, ndërsa janë të larta me 10 për qind edhe sasitë e duhanit që përjashtohet nga shitblerja. Nëse në vitin e kaluar janë grumbulluar nga 1.2 tonë në ditë , tani po grumbullohet nga 400 deri 500 tonë në ditë”. thotë Igor Mirçevski nga Këshilli Iniciativ i prodhuesve të pakënaqur të duhanit.
Sipas tij, bëhet fjalë për një grumbullim jo të drejtë andaj edhe po kërkojnë zgjidhje nga qeveria të këtij problemi. Edhe më tej pritet të protestojnë, duke shtuar se dëshirojnë të vazhdojë shitblerja e duhanit, por me një çmim të kënaqshëm. Rendimenti i vitit 2020 i duhanit është afër 23 mijë tonë, ndërsa deri tani janë grumbulluar afër 7000 tonë duhan. Në ndërkohë në takimin e së hënës të ministrit të bujqësisë, Arjanit Hoxha me përfaqësuesit e Këshillin Inicues të prodhuesve të pakënaqur të duhanit, përsëri janë rishikuat mundësitë për të përmbushur kërkesat e prodhuesve të duhanit në mënyrë që të përfundohet me sukses procesi i grumbullimit nga korrja e këtij viti. “Në takim u dakorduam për të forcuar dinamikën për përfundimin e procesit të grumbullimit brenda afatit të paraparë ligjor. Në të njëjtën kohë, në takim është theksuar edhe nevoja që Qeveria të shpreh vullnetin e saj për të bërë përpjekje maksimale për të arritur çmimin mesatar të duhanit në vlerë prej 180 denarë, për të cilën do të merren masa që kjo të realizohet në të vërtetë. Gjithashtu është theksuar që edhe kompanitë grumbulluese të mbajnë premtimin e tyre dhe të përmbushin detyrimin për të blerë duhanin e tepërt dhe për të vazhduar dinamikën e procesit të grumbullimit me sasi të barabarta të të gjitha kategorive të duhanit”, theksoi ministri Hoxha.
Në ndërkohë , pjesa tjetër e përfaqësuesve të të prodhuesve të duhanit shprehet se me protesta nuk do të zgjidhen problemet. “Ekzekutivi në Shkup nuk e blen dhe as e paguan duhanin. Ajo po jep subvencione dhe deri aty është roli i saj. Megjithatë ato qëndrojnë pas nesh dhe kanë shprehur gatishmëri për zgjedhjen e problemeve tona. Jo se nuk ka probleme dhe se jemi të kënaqur me situatën, megjithatë grumbullimi duhet të vazhdojë , për shkak se kemi pasur edhe ditë kur nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Njëherësh në rast se nuk vazhdon shitblerja, duhani mund të prishet , ndërsa një numër i madh i prodhuesve dëshirojnë të dorëzojnë rendimentin e tyre”, thotë Mende Stomnarovski, kryetar i Lidhjes së shoqatave të duhanit.
Sipas tij, tani mbetet të rritet dinamika e grumbullimit në mbi një milion kilogram në ditë, me qëllim që të mos tejkalohet afati i 28 shkurtit. Në të kundërtën mund të ndërpritet grumbullim pas këtij afati, të tërhiqen peshoret dhe të ulet çmimi edhe më tej. Pra, duhet të vazhdojë puna e pikave të shitblerjes, ndërsa të pakënaqurit duhet të ankohen në komisionin e shkallës së dytë, që e ndalon peshoren dhe kërkon që të vijë inspektorati bujqësor, shton ai. Në ndërkohë në vitet e kaluara 20 deri 30 për qind e totalit të subvencioneve kanë shkuar për prodhuesit e duhanit, që si mjete paguhen menjëherë pas përfundimit të shitblerjes së duhanit .Këto janë edhe subvencionet e para që paguhen nga ana e Agjencisë Pagesore në një vit bujqësor.
Në vitin 2013, në mesin e muajit mars 22.313 prodhues të duhanit kanë fituar 23 milion euro në emër të subvencioneve për duhanin e prodhuar dhe të dorëzuar në vitin 2012 . Subvencionet ishin të vlefshme 60 denarë për kilogram. Në vitin e kaluar që shquhet si një nga më të mirët janë grumbulluar 26 mijë tonë duhan me një çmim mesatar prej 220 denarë. Njëherësh 19.050 prodhues të duhanit kanë fituar mbi 30 milion euro subvencione në mesin e muajit prill të vitit 2020 për duhanin e prodhuar në vitin 2019. Gjithashtu, në vitin 2019 çmimi mesatar i shitblerjes së duhanit ishte afër 214 denarë. Nga ana tjetër në vitet e fundit , është rritur interesimi për të mbjellë duhan edhe falë rritjes së çmimeve për shitblerje të duhanit , të cilat në vitin 2017 ishin afër 217 denarë për kilogram në mesatare, si dhe falë ndihmës së shtetit në të holla.
Njëherësh me modelin e ri të rritjes së subvencioneve, për një kilogram të duhanit të klasës së parë paguhen 80 denarë, për klasën e dytë paguhen 70 denarë, për të tretin dhe të tjerët paguhen 60 denarë për kilogram. Edhe në vitin 2018 janë paguar shuma të larta për subvencione e duhanit në vlerë me afër 29 milion euro. Në vitin 2018 janë blerë 2 ton duhan të tipit “Jaka “ me çmim mesatar prej afër 213 denarë për kilogram , ndërsa 21 ton të tipit “ Prilep”, që janë grumbulluar me çmim mesatar prej 218 denarë për kilogram. Njëherësh , në vitin 2017 janë grumbulluar më shumë se 23 mijë tonë duhan me çmim mesatar prej 217 denarë për kilogram. Ky çmim ishte për 21 denarë më i lartë se në vitin paraprak apo në vitin 2016, kur duhani është grumbulluar për 196 denarë. (koha.mk)