DUÇI AZIRI: I këndoj dashurisë, ilaçit të shpirtit!

Ka vite që këndon në skenën shqiptare, thotë se i këndon dashurisë. Duçi Aziri, djaloshi nga Gostivari vjen në një bisedë për InfraRed të gazetës KOHA duke treguar të rejat në karrierën e tij…

Bisedoi: Blerand REXHEPI

KOHA: Tashmë keni një identitet muzikor në skenë, kush është në fakt Duçi jashtë skenës?

Po jam munduar gjithmonë të jap maksimumin tim për të qenë më afër mbështetësve të mi, të gjitha atyre që pëlqejnë zhanret muzikore me të cilët merem unë, jashtë skene jam modest nuk jam mendjemadh, mundohem që në afërsi të kem gjithë familjen, miqtë dhe shoqërinë, mundohem të jem baba i mirë për dy fëmijët e mi, jam në humor të mirë, shumë optimist dhe pozitiv.

KOHA: Po pasioni për muzikë si ka nisur?

Qysh si fëmijë e kam dashur muzikën, me shokët kemi kënduar dhe kemi bë muzikë kurse dëshira e madhe kuptohet me përkrahjen e familjes sepse atëherë kam qenë i ri, fillova të merrem me muzikë.

KOHA: Mbani mend këngën e parë që keni kënduar?

Kur isha 16 vjet realizova këngën time të parë ‘Më kujtohet ajo ditë’ ku teksti ishte nga Avni Qaili dhe muzikë e orkestrim nga Artan Kastrati, projekt që mora pjesë në Poli Fest në Kosovë, një moment të cilin do e kujtoj gjithmonë se u mirëprita mirë nga publiku, momenti i parë në skenë nuk harrohet madje shumë herë kujtoj ato emocione dhe strese gjatë ngjitjes në skenë.

KOHA: Cili është zhanri që parapëlqen më së shumti?

Unë e ndjej muzikën, e pëlqej mbi të gjitha e dua secilën gjë që e bëj me dëshirë dhe me dashuri mund të këndoj dhe të njëjtën kohë të përcjellë disa zhanre mirëpo atë që e bëj me shumë dashuri është muzika pop folk, secili art ka bukurinë e vet po për mua muzika është ilaç për shpirtin.

KOHA: I këndon dashurisë?

Si mos i këndohet dashurisë kur ajo jep definicionin e gjithë jetës, është e mundur të pëlqesh artin dhe mos i këndosh dashurisë? Gjithsesi se po, përvoja më ka bindur se më shumë rikujtohen këngët e dashurisë se tjerat, vet dhe kënga ime e parë ishte për dashurinë.

KOHA: Cili është projekti i fundit që je duke punuar në të?

Projekti i fundit që jam në përfundim janë dy këngë të vjetra shqipe të përpunuara të cilat mendoj pas sezonës të jenë në publik, sepse gjatë verës kemi sezonën e dasmave, këngët e përpunuara janë në përfundim e sipër mirëpo nuk më premton koha t’i publikoj, e më pas fillon dhe përgatitja e xhirimeve për Vitit të Ri, e jam në dilemë për projektin e fundivtit mirëpo ka shumë mundësi t’i këndoj dashurisë…

KOHA: Si e keni nisur këtë vit e si do e përfundon?

Vitin falënderim nga ana e Zotit e kam nisur mirë ajo që është kryesore kam qenë mirë me shëndet, kur fillon me këngë të shkon edhe viti mirë…

KOHA: Kush është mbështetja jote kryesore?

Është e pamundur të jem ky që jam pa familjen time, secili anëtarë në familje ka rëndësinë e vet dhe kontributin e vet në jetën time, mirëpo mbështetësi kryesorë për mua është dhe do mbetet babai im që unë e quaj heroi im.

KOHA: Ku i punon projektet muzikore dhe planet për të ardhmen?

Gjithmonë jam munduar të bëj përzgjedhje që projekti final të jetë i pëlqyer nga unë dhe bashkëpunëtorët e mi po më pas nga publiku këto të fundit i kam realizuar në studion e Meti Nezirit dhe Adis Ismailit dhe jam ndarë i kënaqur.

KOHA: Çfarë mendoni për këngëtarët e rinj dhe prurjet e reja muzikore, si dhe mesazhi për ato?

Edhe pse jam vet ende i ri, i përgëzoj dhe uroj secilin që ka idenë dhe dëshirën për performanca, ju uroj suksese.