Situata e Mauro Ikardit tek Interi mbetet ende një enigmë. Pas disa javësh të trazuara dhe polemikash të shumta, Vanda Nara ka vendosur të ndërrojë ambient dhe të shkojë në Dubai së bashku me fëmijët. Kjo është bërë publike edhe në rrjetet sociale nga bashkëshortja dhe njëkohësisht menaxherja e sulmuesit zikaltër.
Madje, Vanda ka folur edhe për një revistë prestigjioze argjentinase, duke treguar disa skenarë në lidhje me ngjarjet e kohëve të fundit. “Shumë persona kërkojnë të destabilizojnë familjen tonë, – ishin fjalët para të modeles. – Dhe jo më kot, që si nënë punoj prej kohësh duke i përgatitur fëmijët e mi që të dinë se si të përballen me të keqen. Mauro është personi i parë që beson tek unë. Dashuria jonë është për gjithë jetën.
Vetëm dashuria është ajo që na mban së bashku dhe asgjë tjetër. Kjo vlen edhe për atë. Nuk ka pasur kurrë një krizë midis nesh. Historitë që qarkullojnë në media vijnë nga njerëz me shumë imagjinatë dhe që kanë fare pak të bëjnë me përditshmërinë e familjes sonë”, u shpreh 32-vjeçarja. Më pas ajo flet edhe për mesfushorin e Interit, Marselo Brozoviç me të cilin thuhet se ka pasur një marrëdhënie të fshehtë.
“Brozoviç? Nuk e njoh. As nuk e kam takuar ndonjëherë. Bashkëshorti im është Mauro Ikardi, shpresoj të jem e qartë”. Agjentja e lojtarit, gjithashtu foli edhe për motrën e Ikardit, e cila kishte thënë se Vanda ia përdor si bankomat vëllain. “Kurrë nuk do të flas keq për një pjesëtar të familjes. Nuk kam probleme me askënd. E dua bashkëshortin tim dhe familjen e tij. Dhe mbi të gjitha, paratë e mia i fitoj vetë, nga Ikardi nuk marr asgjë.
Fjalët e Maksi Lopezit për kujdestarinë e fëmijëve? Këto janë çështje që janë ezauruar në gjyq. Unë jam e ëma dhe kam fituar të drejtën për t’u kujdesur për ta. Ai duhet të më falënderojë për mënyrën se si i kam edukuar ata”, përfundoi Vanda.